Rreth 1.9 miliard euro, jashtë Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Ko​sova vazhdimisht kërkon donacione dhe investime të huaja, kurse vetë institucionet e Kosovës kanë rreth 1.9 miliard euro, të cilat mbahen në tregjet financiare ndërkombëtare.

Rreth 1. 2 miliard euro ka arritur Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK). Këto investime janë të shtrira në 61 shtete të botës, apo në afër 2000 emetues botërorë.

Në një përgjigjeje nëpërmjet postës elektronike, Jeton Demi, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka thënë se vlera më e madhe e mjeteve janë të investuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britani të Madhe, Francë , Kosovë, Gjermani, Japoni dhe Kanada.

Kurse, Fondi i mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, sipas të dhënave të kësaj agjencie, ka arritur shumën prej rreth 700 milionë eurosh, të cilat deponohen në Bankën Qendrore të RepublikësKosovës, e prej aty investohen në tregjet e jashtme.

Nga ky fond parashihet të kompensohen kredituesit potencialë tëndërmarrjeve shoqërore.

Sidoqoftë, mos-futja e mjeteve të Trustit dhe të Fondit të Privatizimit në tregun kosovar, është kritikuar shumë herë nga ekspertë për çështje ekonomike.

Ismail Kastrati, njohës i çështjeve ekonomike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se mjetet që mbahen të ngrira jashtë territorit të Kosovës duhet të trajtohen në forma të veçanta.

Edhe Naim Gashi, profesor i ekonomisë, thekson se shfrytëzimi eventual i mjeteve të Trustit është proces më i ndjeshëm, Por Fondin e Privatizimit,thotë ai, gradualisht Qeveria, me pëlqimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet të mendojë që ato mjete t’i kthejë në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Trustit të Kursimeve Pensionale, tashmë kanë deklaruar se kthimi, apo vënia në qarkullim e këtyre mjeteve, nuk mund të bëhet për shkak të pengesave ligjore.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rreth-1-9-miliard-euro-jashte-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala