Rrëfimi për aktorin berber

Autori:Zekirja Shabani

Muhamed Arifi ka dy rrëfime.  Në mbrëmje mund ta shihni teksa luan rolin kryesor në shfaqje të Teatrit Kombëtar, apo në serialin “Stinë dashurie” në RTK, kurse të nesërmen në mëngjes mund t’ua qethë flokët, apo t’ua rruajë mjekrrën në berberhanen e tij afër Hotelit Grand.

aktori 2

“Me aktrim nuk mund të kesh stabilitet financiar. Ka raste kur ke shumë punë dhe ke para, por ka edhe raste kur me muajë të tërë nuk ke asnjë angazhim”, thotë Arifi.

Aktorët kosovarë janë në gjendje të rëndë, përderisa shumica nga ta kanë një profesion të dytë. E bëjnë për të mbijetuar. Por, rasti i Arifi është paksa më i vecantë. Ai rrëfen për Gazetën Fjala se profesionin e berberit filloi ta ushtrojë qysh në shkollë të mesme. Fillimisht tek një shok, pastaj tek vendi ku edhe është sot.

unnamed (1)

Lokali ishte afër Fakultetit të Arteve. Aty shkonin të qetheshin aktorë të ndryshëm. Madje, janë  pikërisht takimet dhe bisedat me ta që e bënë t’i hyjë në qejf aktrimi.

“Aty fillova ta dua këtë profesion”, tregon Arifi.

Sigurisht që nuk e kishte të lehtë. Pasi e kreu shkollën e mesme pauzoi një vit. Vitin tjetër ia mësyu Fakultetit të Arteve.

“Më shtynë kolegët e tanishëm. Thonin se shihnin talent tek unë”. Mirëpo Arifi nuk e kaloi provimin në  afatin e parë.  Kjo madje e zhgënjeu shumë , aq sa nuk dëshironte të  konkuronte më.  Por, gjithçka ndodhi në ditën e fundit  të afatit të dytë  për konkurrim.

 

“U takova me Dardan Islamin, i cili më inkurajoi të konkuroja prap, sepse besonte në talentin tim.  Aplikimi kushtonte 10 euro, ndërkaq në xhep i kisha fiks aq para. E bëra dhe ne provimin për pranim dola i pari”, thotë Arifi.

unnamed (2)

Studimet po i ecnin mirë, por nuk e braktisi asnjëherë profesionin e parë. Vazhdonte të luante në teatër e të qethte aq sa i bënin duart. Kishte shumë klientë. Ndër ta ishte edhe ai që e admironte, aktori i ndjerë, profesori Faruk Begolli.

“Më dridheshin duart nga emocionet teksa po ia rregulloja mjekrrën. Filloi të ndiente dhimbje. ‘A me pincetë po ma heqë mjekrrën a’, më tha duke qeshur”, tregon Arifi një nga takimet e rralla me aktorin e madh kosovar.

Muhamedi i do të dyja profesionet.

“Edhe të qethësh flokët është art në vete. Fatkeqësisht, njerëzit nuk e kuptojnë këtë”, thotë Arifi.

Ky profesion i ka ndihmuar atij që të ketë një jetë të qetë, por edhe të  pavarur. “Që nga mosha 14 vjecare jam i pavarur. Jam djalë hasreti, por nuk i kam kërkuar para babait e askujt tjetër që nga ajo kohë”.

Profesioni i berberit i sjell para, por ai i artistit më tepër kënaqësi. “Këtë fillimvit në festivalin Flaka e Janarit  në Gjilan mu nda çmimi për aktorin më të mirë. Ishte ndjenjë e papërshkrueshme”.

Deri tash ka luajtur në së paku 11 shfaqje në njërin nga rolet kryesore. Arifi ka arritur që të luajë edhe në gjuhë të huaj. Ishte një projekt në Gjermani, një projekt multinacional, ku ai ishte shqiptari i vetëm. Luajti në gjuhën gjermane pa e ditur asnjë fjalë gjermanisht.

aktori berber

“Pas shfaqjes mu ofrua një bashkatdhetar yni që kishte post të lartë institucional në Gjermani dhe më pyeti qe sa vjet jetoj atje. Kur i tregova që nuk jetoj dhe as që e flas gjuhën gjermane u çudit. ‘Theksi yt ishte për cdo lakmi’, më tha ai”, thotë i etuziasmuar Muhamedi teksa përfundon qethjen e klientit të radhës.

Arifin ditën e keni duke qethur myshternjë, ndërsa natën duke aktruar herën në Teatrin Kombëtar, herë në Dodona. Mund ta shihni edhe në RTK.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rrefimi-per-aktorin-berber/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala