Rrëfimi i gruas që lindi beben në korridorin e Gjinekologjisë

Autori:Zekirja Shabani

Një nënë ka lindur, të mërkurën mbrëma, midis korridorit të Klinikës së Gjinekologjisë. Fëmijën e kishte lëshuar vetë në peshqir dhe për pak sa nuk i kishte rënë në pllaka. Ka treguar për Express se ishte neglizhuar nga një motër kujdestare, e cila edhe e kishte fyer. Derisa rrëfen ngjarjen, asaj i rrjedhin lotët nga sytë. Thotë se kur e kishte hequr vajzën nga trupi kishte menduar se i ka vdekur.

“Tri herë i kam thënë motrës se më doli bebja, e ajo më është përgjigjur mos ec si e ‘killavtë’”. Ky është rrëfimi i lehonës Sabile Krasniqi e cila ka lindur mbrëmë në korridorin e gjinekologjisë në QKUK, pa ndihmën e askujt.

Sabilja ka treguar për Gazetën Express se fillimisht kishte shkuar në tualet për t’u përgatitur për lindje. Por, përderisa ishte duke u kthyer në sallën e lindjes, ajo tregon se ka nisur t’i dalë fëmijës koka nga mitra e nënës.

Për këtë proces, ajo thotë se e ka njoftuar motrën kujdestare të saj, e cila e kishte shpërfillur njoftimin e saj.

“Kur jom dal prej banjos, e kom thirr atë motrën, o më dulbeba. I doli bebes kryet. Ma ka ba ajo nuk është e vërtetë që i ka dal bebes kryet. Dy herë i kom than o i dul bebes krytë, dhe ja kom shti unë bebes krytëmrena vet”, rrëfen Sabilja, e cila është ende e shtrirë në dhomën e Gjinekologjisë.

Fillimisht, nëna që kreu lindjen në korridor të spitalit, ka hezituar të rrëfejë ngjarjen në detaje, përderisa në prezencë ishte drejtoresha e gjinekologjisë, Myrvete Paçarada, e cila i ndërhynte në bisedën tonë dhe thoshte: “Tregoje të vërtetën. Se fëmija nuk ka ra në tokë edhe që është mire”.

Por, kur drejtoresha është larguar, Sabilja ka treguar detaje të reja se si lindi pa ndihmën e askujt.

Në momentin kur e ka ndjerë se fëmija po i del nga mitra, ajo tregon se i ka zgjatur duart për ta mbajtur peshqirin që e kishte me vete. Në atë moment foshnja i ka rënë në peshqir, dhe fatmirësisht kishte arritur që ta lëshojë në tokë po u lënduar, se pastaj vetë ishte rrezuar.

“Kur e kom pa beben, ka qenë e zezë. Kom bërtite, kuku më ka vdiq vajza”, tregon Sabilja derisa lotët i rrjedhin nga sytë.

Ajo tregon se pastaj edhe pse e ka dëgjuar foshnjën e saj të qajë për disa momente nuk e ka besuar që e ka gjallë.

Rasti i Sabilës, të mërkurën mbrëma është raportuar në mediat online. Fillimisht ishte raportuar se foshnja u ka rënë mjekëve në tokë nga duart. Por, në njoftimin e së enjtes të QKUK’së është dhënë një version i ngjashëm me të Sabiles.

QKUK e ka publikuar edhe një deklaratë të pacientes në të cilën konfirmohen sjelljet arrogante të mamive dhe lindja e bebes në korridor të gjinekologjisë pa e ndihmuar askush.

Askush deri më tash s’ka marrë masa ndaj atyre që kanë qenë përgjegjës për mbikëqyren e pacientëve.

Sidoqoftë, Sabilja tregon se e ishte qortuar nga mjeket sepse rasti ishte publikua në media.

“Më kanë thanë jo po i përhapni senet. Unë s’kisha dashtë me përhapë, por në korridor e kom lind beben. O kon duke rënë në pllaka”, thotë ajo për Express, dhe tregon ankesa për ndërrimin e mamive që ishin mbrëmjen kur ajo lindi.

Por, diçka që Sabilja nuk do ta harrojë kurrë, do të jetë ajo mamia e cila nuk e kishte ndihmuar në momentin kur ajo lindi foshnjën, edhe pse ishte prezente.

“Zeshkane, jo shumë e gjatë. I ka pas do vathë të kaltër”, këtë përshkrim e jep ajo për të, duke shtuar se që nga ai moment nuk e ka parë më. /Gazetaexpress/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rrefimi-i-gruas-qe-lindi-beben-ne-korridorin-e-gjinekologjise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala