Rrëfimi i babait që vrau vajzën me thikë: Nuk durova, ato rrinin bashkë, unë vetëm

Autori:Gazeta Fjala

Më kishin mërzitur shumë. Në shtëpi rrija vetëm dhe këtë gjë nuk po e duroja dot më”. Kështu është shprehur, i papenduar për krimin që ka kryer, 56-vjeçari Kujtim Ibraj. Ky i fundit, qëlloi pa mëshirë me thikë mbi dy vajzat e tij, 23-vjeçaren Esmeralda Ibraj dhe motrën e saj më të vogël, 17-vjeçaren Elidona Ibraj. Ngjarja e rëndë u shënua dy ditë më parë në kryeqytet, në rrugën “Jordan Misja”.

Si pasojë e plagëve të marra në trup, Elidona ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa vajza tjetër ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ku ka marrë vetëm një plagë sipërfaqësore në gjoks. Menjëherë pas krimit, policia vuri në pranga autorin, i cili u konstatua se kishte qenë në gjendje të dehur. Çifti i bashkëshortëve kishte disa vite që ishin divorcuar, por sërish jetonin në të njëjtën banesë. Në njërën anë të shtëpisë jetonte gruaja me 6 fëmijët e saj (4 vajza e 2 djem), ndërsa në dhomën tjetër jetonte Kujtimi. I pyetur në lidhje me rrethanat e ngjarjes, 56-vjeçari ka treguar në polici se nuk po mundej t’i duronte më vajzat, pasi dyshonte se ato kishin pasur një lidhje dashurie dhe nuk mund të qëndronin më në banesë. Sakaq, grupi hetimor mori në pyetje edhe të plagosurën, Esmeraldën, si dhe nënën e saj.

“Babai erdhi i dehur në shtëpi. Filloi të zihej me nënën. Unë dhe motra ndërhymë për t’i ndarë, por ai mori thikën dhe qëlloi mbi ne”, – ka deklaruar 23-vjeçarja Esmeralda Ibraj. Burimet e sipërpërmendura pohuan se Kujtimi u kishte kërkuar dy vajzave që të largoheshin nga shtëpia, pasi sipas tij, nuk duhej të jetonin në shtëpinë e prindërve.

Dëshmia e Kujtimit

I ndodhur nën efektin e alkoolit, Kujtim Ibraj nuk ka shfaqur asnjë pendesë për vrasjen që ka kryer ndaj vajzës së tij më të vogël, ndërsa la të plagosur bijën tjetër. Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se 56-vjeçari ka deklaruar se kohët e fundit kishte filluar të bezdisej shumë nga prania e vajzave në shtëpi. “Kishin filluar të bëheshin të padurueshme. Nuk po i duroja dot më. Nuk po e duroja më faktin se ata rrinin të gjithë së bashku ndërsa mua më linin të vetëm në një dhomë”, ka pohuar para hetuesve Kujtim Ibraj. “Dyshoja se vajzat kishin lidhje dashurie dhe nuk kishin pse të qëndronin më në shtëpi. Ato duhej të shkonin te të dashurit e tyre”, mësohet të ketë shtuar ai më tej.
Dëshmia e Esmeraldës

E pikëlluar prej humbjes së motrës së saj, 23-vjeçarja Esmeralda Ibraj ka rrëfyer në polici se prej disa vitesh kishin rënë pre e dhunës së babait të tyre. E mbuluar nga lotët dhe me zë të dridhur, Esmeralda ka treguar momentin se si babai i vrau të motrën para syve. Gjatë fjalës së saj, e reja ka pohuar se nuk ka mundur ta denoncojë më parë për shkak të mentalitetit që kishin. Ajo ka treguar se prindërit i kishte të ndarë dhe i kishte ardhur turp të shkonte në polici. “Babai erdhi i dehur në shtëpi dhe filloi të konfliktohej me nënën. Së bashku me motrën e vogël ndërhymë për t’i ndarë, por ai filloi të na qortonte se nuk duhej të qëndronin më në shtëpi”, ka pohuar para efektivëve të policisë 23-vjeçarja. Pikërisht në këto momente, mësohet se vajzat i kishin thënë babait se do ta nxirrnin nga shtëpia, pasi nuk kontribuonte në familje. “Ai vinte pothuajse çdo ditë i dehur në shtëpi. Nuk punonte dhe asnjëherë nuk ka kontribuar në familje. I thamë se do ta largonim nga shtëpia. Në ato momente mori thikën që ishte mbi tavolinë dhe qëlloi mbi motrën. Kur ua afrova t’ia hiqja nga duart, qëlloi edhe mbi mua”, ka shtuar më tej Esmeralda Ibraj. /Gazeta Shqiptare

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rrefimi-i-babait-qe-vrau-vajzen-me-thike-nuk-durova-ato-rrinin-bashke-une-vetem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala