Rrëfimi i babait që desh i vdiq djali nga neglizhenca në QKUK (Dok)

Autori:Avdyl Pajaziti

Gjendjen e rëndë të shëndetësisë në Kosovë, po dëshmohet çdo ditë e më shumë. Dëshmia e dhënë nga Islam Hazjeri për Indeksonline është tronditëse se si djali i tij, Bakiu (20 vjeç), si pasojë e sistemit kaotik shëndetësor, sot gjendet në Gjermani pa ditur se çka do të ndodhë ditët në vijim.

Islami pas çdo veprimi ka mbajtur shënime dhe ato i ka në letër që të dëshmoj parregullsitë që i janë bërë atij, në relacion me shërimin e djalit të tij.

Më poshtë mund të lexoni shumë parregullsi duke filluar nga neglizhenca për pacientin që ishte pothuajse pranë vdekjes e deri tek vjedhja e dozave të trombociteve.

Rrjedha e ngjarjes nga indikacionet e para e deri tek kthimi nga Beogradi duke përfshirë ndërrimin e diagnozave disa herë

Islami nis rrëfimin duke treguar se me 23 Shkurt, djali i tij është sëmurë dhe është dërguar në Emergjencë nga ku është transferuar menjëherë në Klinikën Infektive të QKUK-së, ku djali është shtrirë menjëherë dhe është diagnostifikuar me diagnozën “Hepatitis ac. Obs toxica”. Gjithë këto ditë deri në datën 30 Mars, Islami është detyruar që pothuajse çdo të tretën ditë t’i dërgojë analizat e djalit të tij në laboratore private duke përfshirë edhe ato në Maqedoni, Shqipëri dhe Francë.

Pas kësaj Islamit i është sugjeruar që të niset në Tiranë tek një mjek i quajtur, Jovan Basho, ku do të bënte ca analiza në klinikën private të doktorit Basho dhe si rezultat i kësaj, Bakiut i janë dhënë barnat e njëjta sikurse ato të Prishtinës dhe që pacienti t’i përdorë në shtëpi dhe pas një muaji të vijë në kontrollë. Mirëpo sipas Islamit, gjendja e Bakiut u përkeqësua aq shumë saqë babai i tij, me datë 8 Prill e ka dërguar në Klinikën Infektive për analiza të mëtutjeshme por me ta kontrolluar Bakiun ata e kanë ndalur për mjekim urgjent.

Bakiu është shtrirë në Klinikën Infektive më 8 Prill deri me 14 Prill ku si diagnozë përfundimtare i është caktuar: “Hepatitis autoimmuna obs. Cirrhosis Biliaris Primaria susp.”. Edhe pas shtrirjes në këtë klinikë gjendja e Bakiut vetëm ka shkuar duke u përkeqësuar dhe më shumë derisa mjekët e Klinikës Infektive i thanë Islamit se nuk kanë se çka të bëjnë më shumë dhe se duhet të transferohet në Klinikën Gastrologjisë ose më së miri është të transferohet jashtë shtetit sepse mëlçia është e shkatërruar tejmase (Tranzaminazet i ka pasur 3600 ku maksimumi i tyre guxon të jetë 700).Vendet që ju preferuan të transferohet Bakiu ishin Beogradi apo Shkupi, ku Beogradi ishte më i preferueshëm.

Në ndërkohë Islami e shtroi djalin e tij në Klinikën e Gastrologjisë ku ka ndejtur vetëm dy ditë, të cilat Islami i përshkruan mjaft të vështira nga sjellja e stafit në relacion me trajtimin e djalit të tij. Edhe pse nuk e trajtuan fare, në fund ata në fletëlëshim i kanë shënuar diagnozën tjetër, “Icterus in Obs. Laesio Hepatis”.

Duke e parë këtë gjendje, Islami arrinë të siguroj udhëtimin e djalit drejt Beogradit dhe e dërgon të nesërmen menjëherë në Beograd. Atje Bakiu shtrihet në Qendrën Klinike Universitare, respektivisht në Klinikën Infektive. Aty Bakiu i sëmurë qëndroi nga 17 Prilli e deri më 5 Qershor të këtij viti. Mjekët serbë e kanë konstatuar që mëlqia e Bakiut është 95% e dëmtuar dhe kanë filluar mjekimin e tij. Me trajtimin në spitalin serb, Bakiut ju shërua pothuajse tërësisht mëlqia, ku Tranzaminazet që i kishte 3600 i kishin rënë në 163 dhe në të njejtën kohë, babit të tij Islamit ju shterruan të hollat për ta mbajtur atje. Tani problemi i Bakiut ishte me elementet e gjakut dhe se shpëtimin duhet ta gjente në Klinikat e Hematologjisë, por pasi të holla nuk kishin më shumë për të qëndruar në Beograd, Islami niset një ditë më herët në Prishtinë ku doktorët i thonë që nëse mëlqia është shëruar, mund ta sjellësh djalin këtu.

Islami niset nga Beogradi bashkë me djalin e tij dhe arrinë në QKUK- Klinika e Hematologjisë, me datën 6 Qeshor. Këtu fillon e gjithë drama që Islamin e bëri të ndihet mjaft keq ngaqë po luhej me jetën e djalit të tij.

Mos-pranimi në Hematologji edhe pse fletëlëshimi shkruante decidivisht këtë gjë

Në fletëlëshimin e lëshuar nga Spitali i Beogradit shkruhej se “Savetuje se hospitalizacija u odeljenju hematologije u Prištini radi daljeg ispitivanje i lečanja.”(shq. Këshillohet që të shtrihet në klinikën e hematologjisë në Prishtinë për ekzaminim dhe trajtim të mëtutjeshëm). Por në këtë klinikë as që kanë dashur ta shohin fletëlëshimin dhe nuk e kanë pranuar Bakiun fare, prej aty nisën në Klinikën e Infektive ku e lexojnë fletëlëshimin dhe i thonë që është për Hematologji. Ata kthehen prapa dhe nuk e pranojnë përsëri duke thënë se duhet marrë një vaksinë (Neopogen) e cila kushton 150€ dhe Islami ka thënë se nuk është problem por kur një i njohur aty që ka qëlluar krejt rastësisht i ka thënë se mund ta sigurojnë vaksinën, doktoresha që Islami thotë të jetë Suzana Krasniqi, nuk e ka pranuar fare. Në gjithë këtë turbullirë, Islami merr djalin për dore dhe ecë shkallëve në këmbë, ngaqë lifti nuk ka punuar, drejt Emergjëncës si shpëtim të vetëm dhe kur mbërrinë katin e tretë ku gjendet Klinika e Gastrologjisë, Bakiu bie në tokë pa ndjenja dhe u bë i palëvizshëm. Aty ata kanë thirrë mjekët për ndihmë dhe pas dhënies së ndihmës së parë ata e fusin në Gastrologji, ku pranimi i djalit, Bakiut u bë vetëm që mos të endej korridoreve poshtë e lartë. Aty Bakiu qëndroi 12 ditë.

Por, Islami babai i tij rrëfen një ndodhi të tmerrshme:

“Djali tim vonë në mramje i ka dalë nga vendi kanella dhe gjaku ka rrjedhur duke e qarshafin, jogin edhe ka rrjedhur në dysheme deri sa është bërë aq shumë sa një pacient tjetër afër e ka parë duke vizllu nga dritat që kanë qenë jashtë sepse brenda dritat kanë qenë të ndalura se ka qenë vonë. Pacienti tjetër e ka thirr djalin, Bakinë, i ka thënë se a tka ra telefoni a çka. Kur është çu n’kom e ka pa gjakun edhe e ka kap djalin e ka qu në dhomën e motrave ku ja kanë lidh dorën edhe nuk e kanë kontrollu se sa gjak ka humb. Janë kthy n’dhomë edhe pacienti tjetër ja ka kthy jogin ka ana tjetër edhe ja ka shtru qarshafin e vet. Pas pak kohe pacienti tjetër nuk u bo rahat edhe ka shku te dhoma e motrave midicinale ku ka bërtitë edhe kanë ardh ja kanë mat gjakun. Kur kemi ardh me të shoqen në mëngjes e kemi pa dhomën krejt gjak te djali edhe e kemi pastru vet edhe ja kemi ble qarshafat edhe djali edhe atij pacientit që ja di shumë për faleminderit.”

Urgjenca për ta trajtuar jashtë vendit dhe zvarritja zyreve të Ministrisë

Me datën 16 Qershor, Komisioni Konziliar për trajtim jashtë vendit në Gastroenterohepatologji në përbërje nga doktorët: Drita Berisha, Sadik Zekaj dhe Skender Telaku, ka konstatuar se pacienti URGJENTISHT duhet të niset jashtë vendit për mjekim pasi vuan nga sëmundja e rëndë “Pancytopaenia seccundaria grabis mp toxica Hepatitis non specifika”.

Islami, babai i Bakiut menjëherë ka marrë dokumentin dhe e ka dërguar në Ministri të Shëndetësisë, ku i kanë thënë se nuk po shkruan urgjent. Islami përsëri ka shkuar në QKUK, ja ka dhënë dokumentin Dr. Fadil Sherifit i cili e ka shkruar me fjalë “URGJENT!!!”. Në ministri duhet pritur 72 orë për përgjigjë por që Dr.Fadil Sherifi i ka thënë se duhet t’ia bësh disi sepse gjendja e djalit nuk pret më shumë, por që i njëjti doktor në të njejtën ditë ju ka thënë familjarët të mi që largone djalin nga dhoma sepse nuk kam se çka t’i bëj unë.

Prej aty pa e ditur se çka të bëjë Islami e ka marrë Bakiun dhe e ka dërguar në Klinikën Infektive, ku ata e kanë pranuar vetëm se e kanë njohur si pacient nga e kaluara dhe se i kanë thënë sikur të gjithë mjekët tjerë që është për Hematologji.

Takimi në korridor me Drejtorin e QKUK-së, Curr Gjocaj

Islami është shtetitur tri herë tek zyra e drejtorit të QKUK-së, duke mos patur mundësi për tu takuar me Drejtorin Curr Gjocaj por që ai u ul në parazyrë duke mos lëvizur deri sa të dilte nga dera, ku edhe u takua.

Islami thotë se Gjocaj i ka bërtitur se pse e ka dërguar djalin e tij në Beograd, por ky i ka treguar dokumentet që doktorët e QKUK-së e kanë sugjeruar duke mos patur shpëtim aty. Ai i kërkoi Islamit të shkruante një ankesë dhe të linte numrin e telefonit për ta lajmëruar por në fakt ai lajmërim nuk ka ndodhur kurrë.

Doktorët që i falënderohen Allahut dhe Beogradit

Bakiut të sëmurë dhe të lënë anash nga Klinika Hematologjisë, ju keqësua gjendja dhe se kishte filluar t’i dilte gjaku nga goja dhe nga hunda. Si rezultat i kësaj u organizua një mbledhje fiktive nga stafi menaxhues i tri klinikave( Hematologjisë, Gastrologjisë dhe Infektives), ku merrnin pjesë doktorët: Salih Ahmeti, Linda A. Berisha, Bahrie Halili, Suzana Krasniqi, Fadil Sherifi dhe një motra kryesore medicinave. Atë mbledhje Islami e përshkruan kështu:

“Doktoresha Linda fillon edhe flet thotë se djalit gjendja i është keqësu shumë ishalla është në dorë të Allahut dhe po i dëgjojmë disa zëra që po flitet këtu por që Beogradi edhe Allahu ja kanë shpëtu mëlqinë djalit tënd, se na nuk kemi mujt kurgjo ma shumë me i bo. Biles ajo tha se nga librat e doktorit Dragan Deliqit, që e ka shëru në Beograd. Më pas e mori fjalën doktoresha Suzana që tha se Allahu i ndihmoftë djalit e duhet që ta marrim disa ditë ne deri sa të stabilizohet. Më pas unë i kam thënë se ti je ajo që nuk e ke pranuar djalin në Hematologji e kurrë fal mos t’kofsha e n’daç merre e mos e merr se ski çka merr por kurrë fal mos t’kofsha. Djali le tem vdes po unë nuk kam me lon vend pa bo ankesë.”

Po në atë mbledhje të gjithë ata që kanë qenë prezent e kanë shkruar një letër referimi për trajtim jashtë vendit. Letra është vulosur me shtatë vula nga doktorët dhe institucioni.

Deri në udhëtimin e Bakiut për në Gjermani, ai u vendos në Klinikën e Hematologjisë.

Vjedhja e dozave të trombociteve dhe sfida për sigurim të gjakut

Për qëndrimin e mëtutjeshëm në Klinikën Hematologjisë, duhej të siguroheshin doza të tëra me gjak e trombocite të freskëta. Për këtë gjë, 30 kolegë të punës së Islamit kanë shkuar në lokalet e Transfuzionit të Gjakut për të dhënë gjak. Kjo ka ndodhur disa herë por që Islami këtu u përballë me vjedhje të dozave.

Ai rrëfen se kanë komunikuar me një teknike nga Mitrovica e cila ishte e specializuar për të marrë vetëm trombocitet e freskëta, e cila ka ardhur enkas për Islamin dhe dy kolegë të punës së tij dhanë trombocite. Kur erdhi puna që ato t’i injektohen Bakiut, Islami vërejti që ato nuk ishin trombocite. Në këtë moment ai u frustrua dhe i tha teknikës medicinave që të ecte para tij deri tek dhomat e Transfuzionit të Gjakut. Me të hyrë aty, ata u futën në kuzhinë, ku Islami vërejti se në tavolinën e ndodhur në kuzhinë, një qese me trombocite dhe aty shkruante emri i Bakiut. Islami tregon se është përmbajtur për hir të djalit të tij dhe më pas ato shkuan që të injektonin trombocitet.

Koha ishte aq e limituar saqë ato trombocite nuk ju injektuan dhe Bakiu mori rrugën për në Gjermani. Në mes këtyre ngjarjeve në QKUK, zhvilloheshin sorollatje të pandalura nga zyrtarët në Ministrinë e Shëndetësisë.

Zhagitja në Ministrinë e Shëndetësisë dhe shuma qesharake e ndarë pa vendim për Bakiun

Me datën 16 Qershor, spitali në Gjermani, Klinikum Der Univeristat Munchen, ka lëshuar një profaturë të cilën Islami e ka dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe vlera e faturës ka qenë 4.500€ e cila ka përfshirë vetëm analizat ditore pa u shtrirë në spital.

Pasi gjendja ishte shumë kritike, Islami shkoi në ministri për të ndikuar tek zyrtarët për përshpejtim. Në ministri, shkuan në zyrën numër 26 të cilët e drejtuan Islamin në zyrën numër 109 tek personi që Islami e quan “Zotëri Pashku”, i cili duke parë gjendjen shumë të rëndë të Bakiut, ju tha që ta dërgojën Bakiun sa më shpejt sepse dokumentet mund të rregullohen edhe më vonë dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ata paguajnë 70% të mjekimit kurse familjarët 30%.

Duke u nisur nga kjo këshillë dhe informacion Islami me datë 2 Korrik e dërgon djalin e tij, Bakiun në Gjermani. Vetëm gjashtë ditë më vonë, vie profatura e re e cila përfshinte koston e përafërt për trajtimin e Bakit, dhe shuma e profaturës ishte 38,297.74€. Këtë profaturë, Islami menjëherë e ka dërguar në Bordin për Trajtime Mjekësore Jashtë Vendit.

Mbledhja e këtij bordit e cila udhëhiqej sipas Islam Hajzerit, nga Muharrem Bajrami, u mbajt me datë 9 Korrik dhe pas mbledhjes ata thanë se nuk japin asnjë informacion. Menjëherë të nesërmen, Islami shkon në Ministri, në zyrën numër 26 ku kërkon informacion dhe ata i tregojnë që nuk kanë asnjë dokument për rastin e djalit të tij por që gojarisht ju tha se i është ndarë shumë 2.700€.

Islami nuk ju shkëput tentimeve për marrjen e dokumentit për vendim nga Bordi për Trajtime Mjekësore Jashtë Vendit dhe që të kuptoj arsyen për ndarjen e kësaj shume qesharake në propocion me profaturën e ardhur nga Gjermania.

Po në të njejtën ditë, Islamit ju kumtua lajmi se ka ardhur profatura finale nga Gjermania dhe vlera e asaj fature ishte 250,906.69€. Ky lajm ju kumtua nga personi i quajtur “Zotëri Pashku”, dhe i njëjti i tha Islamit se e ka dorëzuar këtë profatur tek bordi.

Islami përfundon rrëfimin e tij duke thënë se shuma e “ndarë” gojarisht, 2.700€ nga bordi nuk është askund në propocion me 70%-shin që duhet ta mbulonte Ministria, në profaturën parë që shifronte 38,297.74€ dhe se kur mendon se tani ka ardhur profatura tjetër me një shifër prej 250,906.69€, shifra e “ndarë” nga Ministria është qesharake.

Ai po pret këto ditë që të ketë ndonjë zhvillim sepse ka edhe shumë pak orë pritje nga spitali në Gjermani për të dhënë garancinë financiare. Ai madje gjatë gjithë kësaj periudhe ka shpenzuar më shumë se 30.000€, duke e shuar edhe fermën e vogël që e mbante në fshatin Kalaticë, ku edhe jeton./Indeksonline/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rrefimi-i-babait-qe-desh-i-vdiq-djali-nga-neglizhenca-ne-qkuk-dok/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala