Rrëfehet “vrasësi” i penduar i Mimoza Kusarit

Autori:Avdyl Pajaziti

Me një foto të Mimoza Kusari-Lilës dhe ofertën prej 300 mijë euro, Mikel Qupi, biznesmeni kosovar i Hidrokarbureve i ka kërkuar 24-vjeçarit nga Tropoja, Gramoz Nokshiqit, të vrasë kreykomunaren e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.

Është kjo dëshmia e Nokshqit e dhënë në muajin korrik në policinë e Tropojës, të cilën Report TV e mëson me burime nga grupi hetimor.

Pikërisht kjo dëshmi arriti të parandalojë vrasjen e politikanes kosovare dhe të zbulojë grupin e vrasësve me pagesë midis Shqipërisë e Kosovës.

“Në rast se do të vrisja këtë zonjën në foto, do të paguhesha 300 mijë euro dhe paratë do t’i merrja të gjitha në dorë, sapo të kryeja këtë punë një automjet dhe një shofer do të kujdesej që unë të kthehesha në Shqipëri e askush të mos dyshonte tek unë”.

Kur të gjithë ishin fokusuar tek pushimet verore në korrik të këtij viti policia shqiptare është vënë përballë kësaj dëshmie e cila parandaloi vrasjen e politikanes dhe kryekomunares së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila.

Me këtë dëshmi dhe foton që mbante prej 1 muaji me vete, 24-vjeçari Gramoz Nokshiqi do të alarmonte policinë e Tropojës ku në cilësinë e të penduarit rrëfeu planin për vrasjen e politikanes kosovare.

“E nëse do të kryeja dhe vrasjen e një personi tjetër të cilit emrin ja kam mësuar shumë vonë se quhej Prenk Radi do të paguhesha dhe 30 mijë euro shtesë”, ka vazhduar rrëfimin e tij Nokshiqi për hetuesit shqiptarë.

Shqiptarja.com ka mundur të sigurojë nga grupi hetimor pasazhe nga dëshmia e 24-vjeçarit dhënë në korrik në zyrën e shefit të policisë së komisariatit të Tropojës.

Ky material është përcjell me urgjencë në Tiranë, nga ku më pas i është kaluar policisë Kosovare e cila vendosi në ruajtje me shërbim 24 orësh Kusari Lilën dhe familjen e saj.

Nga hetimet intensive dhe verifikimet e dëshmisë së Nokshiqit, policia shqiptare dhe ajo kosovare arritën të zbulojnë se pas vrasjes së porositur qëndronte biznesmeni kosovar i hidrokarbureve Mikel Qupi tashmë i arrestuar.

Po si pjesë e këtij plani janë identifikuar dhe dy shtetas të tjerë njëri i dyshuar vrasës me pagesë nga Kosova dhe një person me iniciale A.K i dyshuar si personi i kontaktit midis porositësit të këtij krimi dhe Nokshiqit.

Si u thur plani i vrasjes?

“Personalisht unë njoh vetëm personin që më lidhi me Qupin”, është shprehur Nokshiqi në policinë e Tropojës.

“Biznesmenin kosovar s’e kam takuar kurrë më parë, këto biseda i kemi zhvilluar në Tropojë dhe Prizren kur jemi takuar tre herë”, ka shpjeguar Nokshiqi për policinë shqiptare.

Aktualisht Nokshiqi mbahet i arrestuar dhe në ruajtje nga policia e Kosovë për llogari të këtij hetimi, ku prokuroria atje ka nisur procedimin penal të vrasjes së mbetur në tentativë, sigurimit të mjeteve për të kryer një vrasje dhe grupit të strukturuar kriminal.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rrefehet-vrasesi-i-penduar-i-mimoza-kusarit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala