Rrëfehet gruaja e të burgosurit nga Kosova – i arrestuar në Kumanovë: Ja si u keqtrajtua burri im!

Autori:Zekirja Shabani

Gjendja e të arrestuarve në Maqedoni raportohet të jetë e rëndë. Disa prej tyre kanë plagë të ndryshme në trup dhe nuk po marrin trajtim të nevojshëm mjekësor. Edhe fotot e publikuara nga mediat në Maqedoni kanë treguar pamjen e rëndë të tyre – me plagë të rëndë në gjithë trupin.

Ndërkohë që shumica prej të arrestuarve janë shqiptarë nga Kosova, Kosova mund të bëjë kërkesë për ekstradim, pasi ka një marrëveshje me shtetin e Maqedonisë. Një kërkesë të tillë Kosovës ia mundëson marrëveshja e arritur vite më parë me këtë shtet.

Portali tesheshi, ka realizuar një bisedë me gruan e një prej të burgosurve kosovarë që vazhdojnë të mbahen në burg në Maqedoni që nga koha e arrestimit – pas luftimeve që ndodhën më 9 maj në “Lagjen e Trimave”, në Kumanovë.

Emri i gruas është i njohur për redaksinë, por ajo për shkaqe sigurie të burrit të saj, nuk ka pranuar të identifikohet, duke thënë se nëse do ta bënte një gjë të tillë ai do të keqtrajtohej edhe më shumë.

Ajo ka treguar se që nga arrestimi veç njëherë e ka vizituar në burg të shoqin dhe se ka pasur mundësi të bisedojë vetëm 15 minuta. Sipas saj, gjendja e tij shëndetësore dhe e të burgosurve tjerë është e rëndë. Thotë se ata janë keqtrajtuar në ditët e para kur janë arrestuar dhe se kanë qenë pothuajse të vdekur, e me brinjë të thyera. Prangat për katër ditë nuk ua kishin hequr për asnjë moment nga duart.

I burgosuri, sipas saj, është mërzitur shumë kur ka mësuar lajmin për vdekjen e shokëve gjatë luftimeve në Kumanovë, përderisa ndjehen të mashtruar nga dy persona: një brenda grupit që ka qenë me ta dhe një person nga jashtë.

Ja rrëfimi i saj i plotë:

Kam frikë që ia rëndojë situatën burrit të flas me emër. Për mua ka qenë shok i vërtetë lajmi!

Unë nuk kam qenë në dijeni se burri im ka shku në Maqedoni. Ai më ka thënë se kam punë në një shtet të Evropës. E kam ditë që u shku atje. Ma ka përmend se po organizohen njerëzit, por nuk më ka treguar më shumë. Në asnjë moment nuk më ka thënë se po shkoj me luftu. Nuk ka mundur të shkojë në Maqedoni, sepse e ka pasur të ndaluar të hyjë në këtë shtet për shkak të luftës së zhvilluar në vitin 2001. Unë kam marr vesh nga mediat se më është arrestuar burrin.

Që nga momenti që është arrestuar, vetëm një herë e kam vizituar burrin tim. Kemi zhvilluar një bisedë vetëm 15 minuta, jo më shumë.

Burri më ka treguar se në katër ditët e para të arrestimit, pasi i kanë në Stacionin Policor, shumica prej të arrestuarve kanë qenë gjysmë të vdekur. Gjatë këtyre katër ditëve edhe prangat për asnjë moment nuk ua kishin hequr. Prangat u kishin hyrë thellë në mish. Duart u ishin bërë në gjendje të rëndë. Burri im kur doli të më takojë i kishte duart të lidhura me një fasho.

Katër ditët e para, as ushqim dhe as ujë nuk u kishin dhënë. 99 për qind të kohës kanë qenë pa vetëdije, të alivanosur. Të burgosurit shqiptarë tha se i kanë kthy ata në jetë.

Në këtë gjendje i kanë detyruar të nënshkruajnë një letër. Por, burri tha se kanë qenë të keqtrajtuar e të lodhur dhe nuk e dinë çfarë kanë nënshkruar.

Nuk ishin veç këto lëndime. Po ashtu edhe shpinën e kishte të dëmtuar shumë. Brinjët më tha që i kam të thyera dhe se ka dhimbje të madhe. Burri im në fytyrë nuk kishte shenja dhune.

Gjatë bisedës, burri kishte afër edhe tre policë dhe nuk mund të tregonte çfarë dëshironte.

Gjendja e të gjithë të burgosurve është jo e mirë. Shpresoj që Qeveria e Kosovës dhe Maqedonisë të arrijnë një marrëveshje.

Disa prej të burgosurve kanë lëndime serioze. Kanë nevojë për operacione. Por, s’e di a do t’i çojnë në spital edhe pse të arrestuarit kanë thyerje nofullash.

Të arrestuar më duket janë 19 persona. Burri më tha se ishte mërzitur shumë kur kishte mësuar lajmin për vdekjen e shokëve të tij nga Kosova.

Të burgosurit janë të ndarë nëpër qeli të ndryshme. Burri tha se sikur të mos ishte mashtrimi që OSBE janë duke i marrë në mbrojtje, të gjithë do të ishim të vdekur sepse nuk do të pranonim kurrë të dorëzoheshim vetëm në duar të Policisë e ushtrisë!

Burri im tha se dyshojnë që dy persona i tradhtuan gjatë aksionit që zhvilluan në “Lagjen e Trimave”. Njëri prej tyre dyshohet se ka qenë brenda grupit, kurse tjetri jashtë.

Më date 3 ose 4 qershor e kemi vizitën e radhës, ku do ta takoj sërish burrin tim për të parë gjendjen e tij. Në telefon nuk kanë lënë të bisedojmë, andaj për shëndetin e tij mund të njoftohem vetëm gjatë vizitave që i kemi dy herë në muaj.

Burri më tregoi se prej ditës që janë transferuar në burgun e Shutkës nuk janë keqtrajtuar.

Veç Zoti e di nëse do të lirohen nga burgu. Sipas avokates njëherë jo! /TeSheshi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rrefehet-gruaja-e-te-burgosurit-nga-kosova-i-arrestuar-ne-kumanove-ja-si-u-keqtrajtua-burri-im/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala