Rojat e Badovcit ishin paralajmëruar për rrezikun nga ISIS-i

Autori:Avdyl Pajaziti

Patrullimet e dy veturave të kuqe me persona me mjekra të gjata, si dhe paralajmërimi që ua kishte dhënë shefi i tyre dy javë më parë se persona të organizatës terroriste ISIS mund ta sulmojnë Badovcin, kishin bërë që dy rojat e natës të këtij liqeni të alarmonin kompaninë e tyre

Me të kuptuar nga rojat se persona të dyshimtë po silleshin afër liqenit, kompania e sigurimeve “Rosa” kishte kontaktuar Policinë, njësia patrulluese e së cilës kishte shkuar shpejt në vendin e ngjarjes.

Aty kishte gjetur Enis Latifin dhe djalin e axhës së tij, Besnik Latifi, që të dy nga Vushtrria, si dhe Milazim Haxhiajn nga Istogu. Vetëm pas arrestimit të këtyre ishte kuptuar se së bashku me këta të tre ishin edhe Gazmend Haliti nga Hajvalia dhe Fehmi Musa, të cilët më pas u arrestuan në shtëpitë e tyre.

Që të gjithë u arrestuan mbi dy – shimin se kishin planifikuar një akt që ndërlidhet me veprën penale të terrorizmit. Mbi bazën e këtyre dyshimeve dhe duke aprovuar si të bazuara pretendimet e prokurores speciale, Drita Hajdari, gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë ua ka caktuar që të pestëve masën e paraburgimit për një muaj.

“Masa e paraburgimit iu është caktuar, sepse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale ‘përgatitje e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës’”, thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rojat-e-badovcit-ishin-paralajmeruar-per-rrezikun-nga-isis-i/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala