Robinson Kruzo i Grykës së Rugovës (Foto/Video)

Autori:Zekirja Shabani

Janë dëgjuar histori të shumta për personazhe që e kanë kaluar jetën në vetmi në ishuj të ndryshëm, të izoluar nga njerëzimi dhe të rrethuar me një botë imagjinare.

Histori të ndryshme me rrëfime përafrisht të ngjashme janë paraqitur duke filluar nga personazhi i romanit të famshëm “Robinson Kurzo” i autorit Daniel Defoe e deri të filmi “Cast Away” me rol kryesor të aktorit të famshëm Tom Hanks.

Të gjitha këto rrëfime artistike tregojnë për fatkeqësitë që u ndodhin personazheve gjatë udhëtimit, e ku përfundojnë të vetmuar në ishuj të oqeaneve.

Asnjëri nga ta, nuk do ta zgjidhte me dëshirë të ishte i vetmuar dhe larg botës së civilizuar. Por të njëjtën gjë nuk e mendon një personazh me një jetë të ngjashme si ato të romaneve e që jeton në Kosovë.

Për dallim me historitë e trilluara në romane e skenarë filmash, ky i fundit është i vërtetë dhe rrëfimi i tij vjen hiq më larg se nga pjesa perëndimore e Kosovës, pra Peja. 

Bëhet fjalë Mitat Nallbanin, një teknik i dhëmbëve, i cili herë pas herë lë qytetin e lindjes për të shkuar pak kilometra më larg në botën imagjinare të krijuar nga vet ai.

Ai ndjehet më mirë dhe më i lirë në atë botë të krijuar në mes të lumit dhe i rrethuar me male të larta, ku dukshmëri të gjatë ka vetëm lartë në qiell.

Një person që merret me prodhimin e protezave, dhëmbëve prej porcelani dhe produkteve tjera stomatologjike, tash e më shumë se një vit ka nisur të krijojë një oazë në mes të Lumëbardhit që rrjedh nga bjeshkët e Rugovës e kalon nëpër qytetin e Pejës.

Shumë turistë që vizitojnë vise të ndryshme të këtyre maleve, mbesin pa frymë kur e shohin atë vendbanim të pazakonshëm në mes të lumit.

Disa e konsiderojnë si një instilacion artistik, por shumë të tjerë e përshkruajnë si një realitet të frikshëm që i përngjan me filma horror.

Por Mitati, pa e qarë kokën shumë për opinionet e qytetarëve, ka vendosur që atë “parajsë” të tijën ta emërtojë me një emër shumë ekzotik. E ka quajtur “Hotel Relax”, pasi që thotë se këtë punë e bënë vetëm për relaks.

Gjatë vizitës që i ka bërë ekipi i lajmi.net, dhe në një intervistë të realizuar me të, Mitati thotë se gjatë stinës të verës ky është vendi më i preferuar i tij.

Ai tregon se që nga fëmijëria është marrë me këso lloj pune dhe se shëtitjen nëpër bjeshkë e ka pasion.

“Unë këtë e kam dhunti prej Zotit, prej fëmijërisë jam marrë me kësi gjera të imëta dhe e kam gjet vetën këtu”, tregon ai.

Por, Nallbani nuk është që jeton i vetëm në “botën” e tij të krijuar. Ai thotë se atë e vizitojnë shumë turist madje edhe të huaj.

“Ka vizitorë shumë, sidomos gjatë sezonit të verës kur vijnë diaspora. Ka edhe turistë të huajt, amerikanë , zviceran, gjerman etj”, thotë ai.

Të gjithë vizitorët e “Hotel Relax” të Nallbanit, aty mund të gjejnë punime që nga kohët e lashta duke përfshirë edhe simbolet fetare, si dhe ato të kohës moderne. Aty nuk mungon as edhe gjakuzi i krijuar nga Nallbani./lajmi.net/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/robinson-kruzo-i-grykes-se-rugoves-fotovideo/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala