Rindërtimi i 5 objekteve komunale pritet të rifillojë në fund të vitit

Autori:Gazeta Fjala

Edhe pse 5 komuna të Kosovës është dashur që në vitin 2013 të jenë më objekte të reja komunale, ato ende sot e kësaj dite vazhdojnë punën në objektet e tyre të vjetra.

Komuna e Obiliqit, Fushë Kosovës, Podujevës, Vushtrrisë dhe Drenasit, vite më parë patën fituar tender nga Zyra e Bashkimit Evropian për ndërtimin e objekteve të reja, për shkak se ato janë shumë të vjetra dhe nuk i plotësojnë aspak kushtet për të punuar aty.

Në atë kohë, kur edhe i kanë fituar tenderët këto qytete, punimet patën filluar me premtimin se do të kryhen shumë shpejt.

Mirëpo, pas një kohë punimet janë ndaluar, për shkak se Zyra e BE-së ka hasur në disa telashe me kompaninë e kontraktuar,dhe për këtë ata kanë ndërprerë kontratën me këtë kompani.

Në ndërkohë, këto qytete kanë mbetur ende në pritje e sipër, përveç komunës së Drenasit, e cila i ka përfunduar punimet së fundmi dhe pritet që shumë shpejt të nisë punët në objektin e ri.

Komuna e Obiliqit ka një objekt mjaft të vjetër, ku dyshemeja, muret dhe gjithçka tjetër janë të stërvjetëruara.

Këto kushte të rënda të objektit i ka pohuar për KosovaPress edhe drejtori i Shërbimeve Publike në këtë komunë, Burim Gërguri, i cili shtoi se ky objekt nuk i plotëson as kushtet minimale për punë. Por, ai beson që së shpejti do të rifillojnë punët, pasi që, një gjë të tillë ua ka premtuar vet kjo zyrë.

“E dini që kemi qenë ndër fituesit e skemës së grantit të Komisionit Evropian për ndërtimin e pesë komunave ku bëjnë pjesë ne, Fushë Kosova, Podujeva dhe Vushtrria dhe Drenasi. Nuk e di pse është zvarritur objekti, mirëpo në këtë vit kemi marrë garanci nga zyrtarët e Komisionit Evropian që do të fillojë. Realisht ka qenë një përpjekje e madhe e kryetarit të Komunës në vazhdimësi me letra dhe komunikim verbal, në mënyrë që sa më shpejt ose jepna mundësinë që të fillojmë të rinovojmë meremetimin”, tha Gërguri.

Një premtim të tillë e ka marrë edhe Komuna e Podujevës, me ç’rast zëdhënësi i kësaj komune, Nazmi Elezi, thotë se atyre ju ka mbetur vetëm të presin dhe të shohin nëse vërtet do të filloj rindërtimi i objekteve që kanë mbetur në gjysmë tash e sa kohë.

Ai thotë se ata kanë mbetur shumë keq, pasi që nuk po munden as të bëjnë renovime të cilat janë të domosdoshme për shkak të vjetërsisë së gjërave.

Madje, për shkak se ky objekt është tejet i vogël, administrata e kësaj komune është e ndarë edhe në disa objekte të tjera, dhe kjo sipas Elezit paraqet një problem shumë të madh në funksionalitetin e shërbimeve.

“Na mbetet të besojmë, premtimet janë që së shpejti do të përfundoj ndërtimi i atij objekti. Sigurisht që kjo ka ndikuar në punë e Administratës Komunale, sepse ky është një objekt i vjetër dhe në ndërkohë këtu nuk janë bërë investime sepse kemi pritur që ne do të dalim në objektin e ri… Mungon këtu edhe hapësira sepse administrata komunale është shpërndarë në disa objekte, mirëpo ne mendojmë se në momentin që përfundon ai objekt do të jetë komplet administrata aty, sepse ai objekt parashihet që t’i plotësojë nevojat”, tha Elezi.

KosovaPress ka tentuar të kontaktoj me Zyrën e BE-së, mirëpo ata janë përgjigjur vetëm përmes email-it duke thënë se Zyra e BE nuk mund të komentojë në lidhje me këtë gjë, pasi që tani ajo është bërë çështje ligjore.

Por, ata bënë të ditur se tenderi që ka të bëjë me përfundimin e punimeve në këto ndërtesa është rifilluar më 3 qershor 2015. Sipas tyre, nëse ky tender është i suksesshëm, punimet në ndërtesa do të rifillojnë në nëntor/dhjetor 2015 dhe ato mund të përfundojnë për rreth 12 muaj nga kjo kohe.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rindertimi-i-5-objekteve-komunale-pritet-te-rifilloje-ne-fund-te-vitit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala