Rezoluta për padinë ndaj Serbisë së shpejti në Kuvend

Në një nga seancat e radhës Kuvendi i Kosovës do ta votoj rezolutën e propozuar nga PDK-ja me të cilën do të ngritet padi ndaj Serbisë për krimet e kryera në Kosovë. Këtë e konfirmoj vet kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili tha se kjo ka mbetur për t’u harmonizuar me grupet tjera parlamentare.
Por, opozita e quan këtë lojë të PDK-së, për ta mbuluar themelimin e Gjykatës Speciale, e cila është një sistem paralel e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se rezoluta është e sponsorizuar nga grupi parlamentar i PDK-së dhe po sa të harmonizohet edhe me opozitën, ajo do të shkojë në seancë për votim.
“Rezoluta e sponsorizuar nga grupi parlamentar i PDK-së për dënimin e krimeve që ka bërë Serbia në Kosovë do të trajtohet. Sot e patëm në mbledhjen e kryesisë dhe grupeve parlamentare, e kemi lënë një harmonizim të qëndrimeve të grupeve parlamentare dhe shumë besoj që mbledhjen e radhës të seancës plenare do të jetë pjesë e votimit”, tha Veseli.
Por jo të sinqertë e vlerësojnë këtë rezolutë grupet parlamentare opozitare. Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se PDK e ka sjell këtë rezolutë për të neutralizuar themelimin e Gjykatës Speciale, e cila është komplet paralele me sistemin e drejtësisë në vend.