Rexhep Selimi porositë deputetët të mos votojnë specialen

Autori:Avdyl Pajaziti

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi shkruan në rrjetin social Facebook se refuzimi i Gjykatës Speciale nuk është refuzim i drejtësisë, por i padrejtësisë.

Ai ka porositur kolegët e tij deputetë se nuk do të duhej ta marrin përsipër që me votën e tyre t’ia ngarkojnë Kosovës barrën e spastrimit etnik, për asnjë periudhë kohore.

“Deklarata e Williamsonit është arsyeja më bindëse dhe argumenti kryesor që duhet refuzuar themelimin një gjykate të tillë. I ftoj te gjithë deputetët që ta rilexojnë dhe kuptojnë këtë deklaratë të Kryeprokurorit Williamson. Pasi ta kenë rilexuar atëherë do ta kenë edhe më të qartë se si duhet të votojnë”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, ata që do të votojnë “PËR” do ta kuptojnë se çfarë barre po ia ngarkojnë Kosovës, kurse ata që do të votojnë “KUNDËR” do ta kuptojnë edhe më shumë se nga çka po e ruajnë Kosovën.

“Të gjithë ata që mendojnë se Kosova nuk dëmtohet nga kjo Gjykatë le ta lexojnë së paku paragrafin e parë në faqen 2. ( Të gjeturat e përgjithshme). Te gjithë ata që mendojnë se kjo gjykatë ka të bëjë me individët e jo me LUFTËN e UÇK-së, le ta rilexojnë paragrafin e dytë në faqen 2 të tekstit të mëposhtëm të deklaratës së Kryeprokurorit të Task Forcës Speciale (Të gjeturat e përgjithshme)”, ka thënë Selimi. “Pra këto janë disa nga argumentet tona (jo të vetmet) se përse NUK DUHET të themelohet Gjykata e Dick Martyt dhe e Williamsonit. Nëse të njëjtat argumente dhe arsye i kanë edhe ata që e kërkojnë dhe e mbështesin themelimin e kësaj gjykate të tillë, atëherë aq me i qartë bëhet qëllimi i tyre”, ka shtuar ai.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rexhep-selimi-porosite-deputetet-te-mos-votojne-specialen/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala