Reshjet në Prishtinë dëmtuan dosje me lëndë penale

Autori:Avdyl Pajaziti

Reshje të mëdha shiu pati të hënën e të martën në Kosovë dhe ato shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Por, këto reshje shkaktuan dëme edhe brenda institucioneve të Kosovës. Për shkak të cilësisë së dobët të ndërtimit, uji depërtoi në brendësi të objektit të Pallatit të Drejtësisë dhe vërshoi mbi shumë lëndë dhe prova që janë si dëshmi që pritej të përdoreshin nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, raporton televizioni publik.

Disa dosje me lëndë penale të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mund të jenë dëmtuar, dhe provat e grumbulluara rrezikojnë të humbin si pasojë e ujit të madh i cili dje gjatë gjithë ditës e deri në orët e vona të natës rrodhi nëpër zyrat e prokurorëve në Pallatin e Drejtësisë.

Kryeprokurori Imer Beka, që është kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, thotë se ende nuk dihet numri i dosjeve që janë mbuluar nga uji, dhe se sa mund të jenë dëmtuar provat. Beka shtoi se nuk është hera e parë që nëpër zyrat e prokurorisë pikon uji, por rasti i djeshëm ishte shumë shqetësues.

Jo vetëm kryeprokurori Beka por edhe një pjesë e tjetër e stafit qëndruan në objekt deri në orët e vona të natës së mbrëmshme, të alarmuar nga uji i cili vërshoi disa pjesë të Pallatit.

Zyrtarë të kësaj prokurorie thonë se problemi do të ishte edhe më i madh nëse uji do të vërshonte katin e parë të ndërtesës ku janë shkrimorja dhe arkivi i Prokurorisë, në të cilat ruhen rreth 40 mijë dosje me prova të rëndësishme që shërbejnë për paraqitje në gjykata.

Sipas Bekës, dëmtimi i tyre do të sillte telashe të mëdha në raste shumë të ndjeshme penale.

E zyrtarë të ministrisë së Administratës Publike që njëherësh është edhe mbikëqyrës i kontratës së kompanisë e cila merret me riparimin e defekteve në Pallatin e Drejtësisë, thonë se rastet që vijnë nga fatkeqësitë natyrore, nuk mund të parashikohen.

Pallatit të Drejtësisë i cili kushtoi rreth 30 milionë euro, ende nuk i është bërë pranimi teknik. Si pasojë e problemeve të funksionimit që nga fillimi, ky objekt nga punëtorët shihet si faktor që po rrezikon edhe shëndetin e tyre.

Çështja e parregullsive rreth ndërtimit të pallatit, dhe dyshimet për keqpërdorime, janë bërë objekt i hetimit edhe nga prokuroria e shtetit. (r.m.)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/reshjet-ne-prishtine-demtuan-dosje-me-lende-penale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala