Rektorit i bëhet presion edhe për tendere

Autori:Avdyl Pajaziti

Një tender për ndërtesën e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë që ka rezultuar të jetë i kurdisur, ka futur në konflikt Rektorin e Universitetit të Prishtinës dhe OShP -në.

Tenderin prej 1.2 milionë euro , të anuluar nga Rektori, po e mbron gjykata e tenderëve. OSHP e fajëson Rektorin për pengim të tenderëve. Rektori ka thirrur prokurorinë për hetim.

Kur u anulua procesi tenderues për ndërtimin e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, “NZB Bashkimi”, ishte vetëm njëra nga kompanitë garuese. Por, më pas specifikat e dosjes së këtij tenderi, prej 1.2 milionë eurove rezultuan se ishin bërë enkas që t’i përgjigjeshin asaj. Gjithashtu ishte ankesa e po kësaj kompanie kundër pezullimit të ofertimit ajo që u aprovua në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik(OSHP) dhe nisi një konflikt OSHP- Rektor.

Rektorati i UP-së në shtator 2014 kishte hapur tender për ndërtimin e godinës së dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë. Një muaj më vonë në fazën e para-hapjes së ofertave, Zyrës së prokurimit i ishte kërkuar që ky tender të anulohej. Anulimi kërkohej në emër të mangësive në dosje të tenderit, por edhe dyshimeve për kurdisje.

Përveç ankesave të disa kompanive se dosja e tenderit kishte gjithë specifikat që i përgjigjeshin një kompanie ofertuese, atij i mungonin edhe elementet kryesore, specifikimet e obligueshme.
Bazuar në ankesën e kompanisë “NZB Bashkimi”, OSHP kishte urdhëruar Rektoratin që të riniste procedurën e tenderimit, të rivlerësonte dhe të plotësonte dosjen e tenderit.

Por, Rektori i është drejtuar Gjykatës në kontest administrativ.

“Ne kemi bërë çdo gjë konform ligjit”, ka qenë përgjigja e dhënë përmes zëdhënësit Durim Berisha.
OSHP me 26 nëntor 2014 ka lëshuar një urdhëresë tjetër që brenda 5 ditëve Rektorati të vazhdonte këtë procedurë, ose shefit të prokurimit të Rektoratit Afrim Bajraktari, i merret licenca dhe dënohet me 5 mijë euro.
Por, gati tre muaj pas OSHP nuk e ka zbatuar urdhëresën e vetë. Arsyeja sipas kreut të saj Hysni Hoxha është se “shefi i prokurimit është nën presion”. Por, këto OSHP nuk i ka dokumentuar me asnjë dëshmi në vendimet e saj. Gjithashtu shefi i prokurimit i Rektoratit, Bajraktari nuk ka konfirmuar se ka të deponuar ndonjë ankesë për presion.

Pavarësisht pohimeve për kurdisje dosja e tenderit për ndërtimin e dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, një kopje të së cilës e ka Radio Kosova përcakton të paktën tri elemente që nuk kërkohen për tenderë me vlerë prej 1.2 milionë euro.

Këto janë që kompania të ketë realizuar së paku 2 kontrata të suksesshme, të ketë pasur së paku 6 milionë euro qarkullim financiar dhe të ketë mbështetje bankare deri në 4 milionë euro. Të gjitha këto rektori dhe kompanitë garuese kishin gjetur se i përgjigjen kompanisë (Nzb Bashkimi), ankesa e së cilës ishte aprovuar në OSHP.

Kadri Krasniqi, menaxher i njërës prej kompanive garuese “Kawa group” , i ka thënë Radio Kosovës se specifikat e tenderit flisnin për kurdisje. “ Ne qysh në fillim jemi ankuar sepse dosja e tenderit që ka përgatitur Zyra e Prokurimit të Rektoratit ka qenë e dizajnuar për të iu përgjigjur një kompanie “,i ka thënë Krasniqi, Radio Kosovës.

I kontaktuar disa herë për ankesën dhe as nëse dosja e tenderit i përgjigjej specifikave të saj nuk është përgjigjur pronari kompanisë “NZB Bashkimi”, Ibrahim Sfarqa. Ai nuk është i përgjigjur asnjë pyetjet e dërguar në adresën elektronike të tij dhe kompanisë.

Përderisa, Hoxha thotë se vendimi i OSHP në favor të kësaj kompanie është i bazuar ndryshe ka vlerësuar një tjetër trup , Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP). Pas kërkesës për interpretim ligjor, KRPP ka shfrytëzuar ekspertët e Komisionit Evropian për të dhënë opinion për këtë tender.
Një vlerësim i ekspertes Erzsebet Gal e grupit “Planet Consorcium”, e autorizuar nga Komisioni Evropian ka gjetur se vendimi i Rektoratit për anulimin është bërë “konform procedurave ligjore, neni 62 i Ligjit të Prokurimit Publik”.

Por, kreu i OSHP-së e ka quajtur këtë interpretim si interferim në kompetencat e OSHP-së.

Madje Hoxha ka kërcënuar Rektoratin e UP-së se do ta gjobis për mos zbatim të vendimeve të OSHP-së. Por, as këtë nuk e ka bërë. Kjo me arsyen se OSHP, nuk ka gjetur mënyrë për të përjashtuar nga ndëshkimi shefin e prokurimit të Rektoratit. Ndërsa rektori i UP-së konsideron se po i bëhet presion edhe për tenderë dhe kjo nga vetë gjykata e tenderëve, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik.

Kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha po përballet me dy aktakuza për favorizim të kompanive. Njëra ka të bëjë me një tender në KEK për sigurim fizik, kurse tjetra në një tender të Ndërmarrjes Publike Banesore për ndërtimin e objekteve afariste në qytezën Pejton./RTKlive

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rektorit-i-behet-presion-edhe-per-tendere/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala