Rektori i UP-së këmbëngul në kritere: Ndërpret mbledhjen e Senatit, për të stopuar avancimet e dyshimta

Autori:Avdyl Pajaziti

Mos votimi i rendit të ditës dhe mos shqyrtimi i rasteve të punimeve të vonuara të profesorëve dhe asistentëve që nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara, ka shtyrë rektori e Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, ta mbyll mbledhjen e Senatit të UP-së.
Telegrafi mëson se ka qenë e pritshme ndërprerja e mbledhjes së sotme të Senatit, për shkak se tema e diskutimit ishte shumë e ndjeshme: avancimi në thirrje akademike i dhjetëra profesorëve që nuk i plotësonin kushtet e Statutit të Universitetit, kryesisht për mungesë të publikimeve në revista me kredibilitet të pakontestueshëm.

Për të gjithë këta profesorë, komisioni recensues – që ka formuar Senati – kishte shkruar fjalët më të mira, në të shumtën e rasteve duke i shtrembëruar ose heshtur faktet për t’i propozuar të gjithë, pa përjashtim për avancim. Komisionet recensuese përbëhen nga tre profesorë që japin mendimin me shkrim për punën e kolegut që aplikon për avancim, ndërsa raportet e tyre janë publikuar në ueb-faqen e Universitetit. Por, këtë herë kandidatëve për avancim dhe komisioneve që i shkruan recensionet e tyre ju hasi sharra në gozhdë, shkruan Telegrafi.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, i dërgoi të gjitha recensionet në Komisionin për Mësim të themeluar nga vet Senati i Universitetit, i cili i shqyrtoi rastet një nga një dhe nxori përfundim se shumica dërrmuese nuk i plotësojnë kushtet themelore për avancim.

Në mesin e tyre, siç mëson Telegrafi, ka shumë emra të njohur për publikun, por edhe anëtarë të Senatit dhe të Këshillit Drejtues. Pas shqyrtimit të dokumentacionit nga gjashtë fakultete, Komisioni konstatoi se në mesin e atyre që nuk i plotësojnë kushtet për avancim, janë: Mytaher Haskuka, deputet i LVV në Kuvendin e Kosovës; Ferdije Zhushi, kryetare e Bordit të Agjencisë së Akreditimit; Ethem Çeku, dekan i Fakultetit të Edukimit dhe ish-ministër; Skender Ahmeti, dekan i Fakultetit Ekonomik; Naser Kabashi, dekan i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës; Linda Grapci-Kotorri, prorektore e Universitetit të Pejës; Idriz Vehapi, kryetar i Komunës së Rahovecit dhe ish-ministër; Imer Rusinovci, anëtar i Senatit dhe këshilltar në Kuvendin Komunal të Prishtinës; Kemajl Kurteshi dhe Sabrije Osmanaj, anëtarë të Senatit të UP-së; Safet Merovci, anëtar i Këshillit Drejtues të UP, e të tjerë.

Të gjitha këto raste dhe shumë të tjera duhet të shqyrtoheshin në mbledhjen e sotme të Senatit, ku anëtarë janë të paktën gjashtë nga ata për të cilët Komisioni ka konstatuar se nuk i plotësojnë kushtet për t’u avancuar. Megjithatë, Telegrafi mëson se kjo nuk u lejua nga anëtarët e pranishëm të Senatit. Që në fillim të mbledhjes vërehej një homogjenizim, i cili u reflektua përmes kërkesës që të mos merren parasysh mendimet e Komisionit për mësim, por të komisioneve recensuese që, pa përjashtim, kishin rekomanduar avancime për të gjithë. Pas diskutimit – ku më të zëshmit ishin pikërisht anëtarët e Senatit që sipas Komisionit për Mësim nuk i plotësonin kushtet për avancim – rektori e ndërpreu mbledhjen pa e caktuar vazhdimin e saj.

Dihet se ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, u largua nga posti për shkak të publikimeve të punimeve në revista të dyshimta. Me gjithë faktin se ishte historian, ai shkroi për mineralet e Trepçës dhe krizën ekonomike në Greqi. E, ishte pikërisht kjo përbërje e Senatit të Universitetit që ia pranoi këto punime si valide dhe e avancoi në thirrjen e profesorit të rregullt, të cilin titull e mban edhe sot. Dhe, derisa vazhdonin protestat studentore para Rektoratit me kërkesë për dorëheqjen e Gashit, u kuptua se ai nuk është i vetmi që ka publikime të tilla, por se si ai janë dhjetëra e ndoshta edhe qindra profesorë të tjerë, në mesin e të cilëve tani po kuptohet se ka dekanë, anëtarë të Senatit, të Këshillit Drejtues të Universitetit, si dhe bartës të funksioneve shoqërore.

Po në kohën e protestave, Senati formoi një komision që kishte për detyrë t’i shqyrtonte publikimet e të gjithë profesorëve të Universitetit, por ai komision asnjëherë nuk e kreu detyrën që e ka marrë mbi vete.

Si duket, Universiteti i Prishtinës nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga “rasti Gashi”. Përkundrazi, sa u qetësua pak situata dhe dukej se do të fillonte normalizimi, rrugës së tij ia kanë mësyrë edhe të tjerët, duke shfrytëzuar publikime false për avancim, ose duke kërkuar të avancohen pa publikime.

Rektori dhe ekipi i tij ishin sot të vetmuar, pa asnjë mbështetje nga anëtarët e Senatit. Mbetet të shihet nëse do t’ia dalin ta kthejnë Universitetin në binarë, duke respektuar kriteret akademike, apo institucioni do të vazhdojë rrugën drejt humnerës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rektori-i-up-se-kembengul-ne-kritere-nderpret-mbledhjen-e-senatit-per-te-stopuar-avancimet-e-dyshimta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala