Rekomandimet e avokatit të Popullit për Mustafën e Veselin rreth AKP-së

Autori:Gazeta Fjala

Avokati i Popullit ka pranuar një numër ankesash kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit (më tutje AKP), lidhur me vonesat në shpërndarjen e mjeteve apo në kompensimin e kreditorëve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim dhe për këtë ka nxjerrë një raport me rekomandime.

Bazuar në nenin 18, paragrafi 1.2 të Ligjit për Avokatin e Popullit Nr. 05/L-019, Avokati i Popullit ka përgjegjësi “Të tërheqë vëmendjen për rastet kur autoritetet i shkelin të drejtat e njeriut dhe të bëjë rekomandime që t’u jepet fund rasteve të tilla dhe kur është e domosdoshme të shprehë mendimin e vet mbi qëndrimet dhe reagimet e autoriteteve përkatëse në lidhje me rastet e tilla”.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka vlerësuar se mosemërimi i Bordit të AKP-së, i cili ka rol qenësor, më mes të tjerash, në miratimin e shpërndarjes së mjeteve dhe kompensimin e kreditorëve, paraqet ndërhyrje në të drejtën pronësore të ankuesve dhe po ashtu paraqet shkelje të së drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Në Raportin e publikuar sot, i cili u është dërguar Kryeministrit të vendit, Isa Mustafa dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli, Avokati i Popullit u rekomandon:

1. Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmerr të gjitha veprimet e domosdoshme për propozimin e tre anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, sipas nenit 4, paragrafit 3 të Ligjit nr. 04/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës të emërojë anëtarët e Bordit të AKP-së, në mënyrë që Bordi të kompletohet dhe të bëhet funksional ose së paku ta ketë kuorumin e duhur, sa më shpejtë që është e mundur, në mënyrë që të ndalohen shkeljet e shkaktuara nga mungesa e Bordit.

3. Nga akterët e përfshirë në çështjet e propozimit dhe emërimit të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të AKP-së të vendoset procedura për emërimin e tre anëtarëve, të cilët deri më 31 gusht 2014 i kishte emëruar Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rekomandimet-e-avokatit-te-popullit-per-mustafen-e-veselin-rreth-akp-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala