Regjistrimi i popullsisë në veri do të bëhet së bashku me EUROSTATIN

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Kujtim Shala në një takim me një delegacion të EUROSTAT-it të kryesuar nga Pieter Everaers ka biseduar për një sërë zhvillimesh në fushën e statistikave dhe ndikimit të tyre në hartimin e politikave të qëndrueshme qeveritare.

Në këtë takim u bisedua për procesin e ardhshëm të regjistrimit të popullsisë në veri të Kosovës, për të cilin, u tha, se duhet të bëhet në bashkëpunim edhe me atë pjesë të Kosovës.

Ndërmjet zëvendëskryeministrit Shala dhe drejtorit Everaers në mënyrë specifike u diskutua për rolin që kanë statistikat për zhvillimin ekonomik të një vendi.

Zëvendëskryeministri Shala është shprehur  se ESK-ja është institucion i rëndësishëm dhe burimi i informacioneve në formulimin e politikave publike, ndërkohë që shprehu nevojën që Kosova të ketë sa më shumë statistika sepse kështu Qeveria është më e saktë në formimin e politikave publike.

Everaers, drejtor i EUROSTAT-it  ka përgëzuar zëvendëskryeministrin Shala për punën e gjertanishme të Qeverisë së Kosovës dhe ka shprehur përkushtimin e institucionit që ai drejton për të ndihmuar ngritjen e kapaciteteve profesionale të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, meqë statistikat, sipas tij, luajnë një rol tejet të rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës.

Për këtë arsye, ai kërkoi nga zëvendëskryeministri Shala që ligji për statistikat të jetë sa më profesional dhe të ndihmojë këtë institucion që të forcohet.

Ai po ashtu shprehu nevojën që Kosova ka për të zhvilluar statistika të besueshme e profesionale, në përkim me standardet e aplikuara të Bashkimit Evropian.

Ai kërkoi që ASK-ja të ketë pavarësi dhe qëndrueshmëri buxhetore, në mënyrë që të funksionojë sa më mirë pasi sipas tij mund të nxirren të dhëna të vlefshme dhe të besueshme që ndihmojnë Qeverinë në objektivat politike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/regjistrimi-i-popullsise-ne-veri-do-te-behet-se-bashku-me-eurostatin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala