Refugjatët, me mijëra hyjnë në Slloveni nga Kroacia

Autori:Gazeta Fjala

 

Mijëra emigrantë kanë kaluar kufirin mes Kroacisë dhe Sllovenisë, pasi Hungaria mbylli kufirin e saj me kroatët një ditë më parë.
Rreth 4 mijë refugjatë, shumica e të cilëve nga Siria, kanë mbërritur deri më tani në Slloveni, sipas njoftimit të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët. Pjesa më e madhe e tyre synojnë të udhëtojnë drejt Austrisë, Gjermanisë, por edhe në vende të tjera.

Ushtria sllovene është në gatishmëri për të ndihmuar policinë në përballimin e këtij fluksi, por nuk do të ndërhyjë deri kur të jetë e nevojshme, bëri të ditur kryeministri Miro Cerar. Ai shtoi se Sllovenia duhet të pranojë emigrantët, për sa kohë Austria dhe Gjermania do t’i mbajnë hapur kufijtë e tyre.

Ndërkohë, Hungaria bëri të ditur se kishte mbyllur kufirin me Kroacinë mesnatën e së premtes, për shkak se udhëheqësit e Bashkimit Europian dështuan të binin dakord mbi një plan për ndaljen e këtij fluksi refugjatësh por edhe azilkërkuesish.

Muajin e kaluar, Hungaria mbylli edhe kufirin jugor me Serbinë, e cila ishte një nga rrugët tranzite kryesoret gjatë ditëve të para, që refugjatët të mund të mbërrinin në Europën Perëndimore. Të shtunën, qindra refugjatë u hipën autobusëve për të kaluar në Kroaci, nga kufiri i saj me Serbinë në kufirin e saj me Slloveninë.

Shumica kanë kaluar javë të tëra ecjesh në këmbë përmes Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, për të mbërritur deri në kufijtë e Kroacisë. Autoritetet sllovene i kanë regjistruar ata dhe më pas kanë siguruar edhe transportin e tyre për në kufirin austriak./ Top Channel

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/refugjatet-me-mijera-hyjne-ne-slloveni-nga-kroacia/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala