Refugjatët mbeten të bllokuar në kufirin kroato-slloven

Autori:Gazeta Fjala

Kontrollet e reja kanë vështirësuar rrugën e tyre nga Ballkani drejt Europës perëndimore, duke shtuar tensionet mes mijëra emigrantëve të drejtuar në veriun e kontinentit të vjetër.

Kroacia i kërkoi Sllovenisë fqinje që të pranojë 5.000 emigrantë në ditë, pretendim ky i refuzuar me justifikimin se nuk mund të marrë veçse gjysmën e tyre.

Pasoja e lëvizjeve në fjalë ishte një grumbullim njerëzish në kufirin e Kroacisë me Serbinë. Zyrtarë kroatë i thanë BBC-së se është thjesht çështje ditësh që kampet e strehimit të përkohshëm për refugjatët të mbeten pa vende të lira.

Autobusë të mbushur plot me të ardhur prisnin më kot në Serbi të djelën, e zemërimi mes emigrantëve të frustruar dhe efektivëve të tensionuar të policisë nuk vonoi të shpërthente.

Shumë refugjatë u detyruan të presin në mes të të ftohtit dhe shiut për të kaluar mëngjesin e sotëm në Slloveni.

Duke shpjeguar kufizimet e reja të vendit të tij, sekretari i Ministrisë së Brendshme sllovene, Bostjan Sefiç tha se fqinji verior, Austria, nuk priste më shumë se 1.500 njerëz në ditë, ndaj i duket më se e logjikshme që dhe Sllovenia të mos pranojë një numër të pakufizuar emigrantësh, duke e ditur fare mirë se këta njerëz nuk do ta vazhdojnë dot më tej rrugëtimin e tyre.

Nëse tek njerëzit do të hynin me ritmin e pretenduar, arsyeton zyrtari i lartë slloven, atëherë brenda 10 ditësh në Slloveni do të kishim 35.000 refugjatë, çka për ne është e papranueshme. Gati 5.000 emigrantë kaluan një natë të ftohtë në kampin e tranzitit në Opatovac të Kroacisë.

Stacionet hekurudhore në kufirin me Slloveninë ishin të heshtura mëngjesin e sotëm, thotë korrespondenti i BBC në rajon, ndërsa pasagjerëve në një tren që i ishte bllokuar hyrja në territorin slloven, autoritetet kroate i ofruan të zgjedhin: ose një qëndrim të përkohshëm në Kroaci, ose të largohen e të shkojnë nga të duan./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/refugjatet-mbeten-te-bllokuar-ne-kufirin-kroato-slloven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala