Rebelohet Opozita, e lëshon mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit

Autori:Avdyl Pajaziti

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, kanë braktisur në mënyrë demonstrative mbledhjen e Kryesisë, ku po vendosej për punimet që legjislativi do t’i zhvillojë gjatë javës

Në momentin kur është hapur tema e Gjykatës Speciale, opozita e ka braktisur mbledhjen.

Glauk Konjufca, anëtar i Kryesisë së Kuvendit, nga Lëvizja Vetëvendosje, u është drejtuar medieve, ku ka thënë se e kanë lëshuar mbledhjen në mënyrë demonstrative, sepse aty u hap diskutimi për ndryshimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, raporton lajmi.net.

Konjufca bëri të ditur se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kishte hapur temën e amendamentimit të Kushtetutës, duke i kërkuar kryesisë që kjo të diskutohet më 26 qershor në Kuvend.

Konjufca tha se qëllimi i mazhorancës, është që përmes kësaj gjykate, vendit t’i paksohet edhe më tej sovraniteti.

“Arsyeja e dytë, pse e lëshuam mbledhjen, është se kjo gjykatë do të jetë etnike”, tha Konjufca.

Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, ka thënë se askush nuk ka të drejtë që me ngritje dore të votoj për heqjen e sovranitetit të shtetit, edhe ashtu të brisht.

“Këtu bëhet fjalë për një sistem paralel. Madje edhe arkivat do të jenë të paprekura sot e 1000 vjet dhe do të vlejën vetëm për Specialen”, ka thënë Kadaj – Bujupi.

Ajo në mënyrë demonstrative edhe e ka grisur projektligjin për gjykatën speciale.

Në të njejtën linjë me dy partitë më të mëdha opozitare është edhe Nisma e Fatmir Limajt.

Valdete Bajrami nga kjo parti ka bërë të ditur se opozita nuk do të jetë në seancën e së premtes.

Ajo u ka bërë thirrje edhe deputetëve tjerë që të mos votojnë në këtë seancë. (lajmi.net)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rebelohet-opozita-e-leshon-mbledhjen-e-kryesise-se-kuvendit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala