Reagon Thaçi: “Sot janë sulmuar ata që sakrifikuan gjithqka për Kosovën”

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar rreth ndodhive të sotshme në Kuvend.

Ai me anë të një postimi në facebook ka thënë se ndjehet plotësisht i dëshpëruar nga sjelljet e dhunshme të Opozitës. Dhe se sot janë sulmuar ata të cilë ia kanë kushtuar jetën Kosovës.

Ai gjithashtu tha se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, dhe zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në vitin 2018

Ky është reagimi i plotë i tij:

“Jam thellë i zhgënjyer me dhunën e ushtruar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sot kanë pësuar edhe ata që ia kushtuan jetën e tyre idesë për një Kosovë të lirë, ku çdokush ka të drejtë të ketë mendimin e vet, të shprehë mendimin e vet dhe të veprojë për të jetësuar synimet dhe aspiratat e veta, pa u frikësuar se do të dhunohet nga ata që mendojnë ndryshe.
Opozita nuk është duke cenuar vetëm demokracinë në Kosovë por tani ka filluar të cenojë edhe integritetin personal, dinjitetin e madje edhe vet shëndetin e deputetëve të Kosovës. E duke sulmuar deputetë, duke penguar punën e Kuvendit, opozita po vepron drejtpërdrejt edhe kundër vet themeleve të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Prandaj, jam i zhgënjyer. Ndihem më lehtë vetëm kur shoh që kjo sjellje e papranueshme është duke u dënuar nga të gjithë në Kosovë, duke e lënë opozitën të vetmuar në verbësinë e saj. I përgëzoj deputetët nga partia ime si edhe ata nga koalicioni qeverisës, si edhe Kryesinë e Kuvendit, që vazhdimisht po tregohen të matur, të kujdesshëm, me dinjitet, dhe po i kthejnë shpinën provokimeve dhe dhunës të cilës po i nënshtrohen në institucionin më të lartë politik të shtetit tonë. Nuk do të ketë zgjerim të koalicionit, zgjedhjet e ardhshme do të jenë në vitin 2018, nuk do të ketë tërheqje të nënshkrimit nga marrëveshjet dhe do të jemi edhe më të vendosur për të punuar për integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO dhe për të ruajtur miqësinë e përhershme me SHBA-në. Asnjë presion, shantazh apo dhunë nga kushdoqoftë, nuk do të ndalë konsolidimin e shtetit të Kosovës. HTH”

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/reagon-thaci-sot-jane-sulmuar-ata-qe-sakrifikuan-gjithqka-per-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala