Reagon Muharrem Svarqa për lidhjet me Elmi Reçicën

Autori:Zekirja Shabani

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa ka reaguar pas publikimit në Gazetën Fjala të artikullit “Sfarqën e Reçicën i bashkon tenderi”. Ai nuk ka mohuar se tenderi i është dhënë kompanisë “Ekologjia” për dezinfektim, dezinsektim e deratizim në Komunën e Ferizajt në vlerë 105 mijë euro edhe pse në garë kanë qenë vetëm dy konkurrent.

Svarqa përmes adresës së tij personale elektronike sqaron se fotografia e publikuar ku ai shihet bashkë me deputetin Elmi Reçica, nuk ka lidhje me tenderin për dezinfektim, dezinsektim e deratizim.

Gazeta Fjala, rikujton të gjitha palët se në artikullin tashmë të botuar janë prezantuar faktet e bazuara në dokumente zyrtare të publikuara nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik që mbështesin shqetësimet e shoqërisë civile dhe qytetarëve të cilët i kanë adresuar në redaksi.

 

Lexojeni të plotë reagimin e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa:

 

Reagim i kryetarit të Ferizajt

Gazeta Fjala spekulon dhe dezinformon

Gazeta Fjala ka botuar një shkrim me titull “Sfarqën e Reçicën i bashkon tenderi”, përmes të cilit thotë dy të pavërteta dhe bën spekulime të palejueshme për një media serioze.

Së pari fotografia e botuar, sipas së cilës Gazeta Fjala nxjerr dyshime rreth ‘bashkëpunimit’ të kryetarit Svarqa dhe deputetit Elmi Reçica, nuk ka të bëjë asgjë me tenderin për dezinfektim, dezinsektim e deratizim. Ajo foto është marrë nga ceremonia e promovimit të një libri dhe është keqpërdorur në mënyrën më të keqe për qëllime shpifjeje.

Së dyti, gazeta konstaton se në tender të hapur nuk mund të procedohet më tutje nëse ka më pak se tre konkurrentë, gjë që është e pasaktë.

Duke plasuar të pavërteta, spekulime dhe dezinformata, Gazeta Fjala mund t’i ketë shërbyer ndonjë pale të përfshirë në këtë tender, por jo lexuesit të saj.

 

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/reagon-muharrem-svarqa/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala