Reagon IKShPK-ja pas rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19

Autori:Gazeta Fjala

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka lëshuar një kumtesë për shkak të numrit të lartë të rasteve me COVID-19.

Në 24 orët e fundit u konfirmuan 379 raste të reja dhe 3 viktima nga COVID-19 në Kosovë.

”Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave. Mos e nënvlerësoni virusin! Pakujdesi na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e Institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale.”, thuhet në kumtesën e IKSHPK-së.

Lexoni njoftimin e plotë të IKShPK-së:

Të nderuar qytetarë,

Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale me COVID -19, sot kanë rezultuar 379 raste positive me COVID-19 që është numri më i madh të rasteve që nga 18 dhjetori i vitit të kaluar.

Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave. Mos e nënvlerësoni virusin! Pakujdesi na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e Institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.

Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.

Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar.

Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotme mund të na shkojë huq për shkak të pakujdesisë së mos përmbajtes së tri rregullave themelore, të cilat duhet të jenë përditshmëri e jona edhe pa pandemi, e që nënkupton: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve me kujdes disa herë në ditë, për 20-30 sekonda Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.

Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Qytetarë të nderuar, Ju lutemi për kujdes të shtuar

Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit: Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike! Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/reagon-ikshpk-ja-pas-rritjes-se-numrit-te-te-infektuarve-me-covid-19/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala