Reagon AGK për kërcënimet ndaj Zekirja Shabanit

Autori:Avdyl Pajaziti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar kërcënimin ndaj kryetarit të bordit të Asociacionit, Zekirja Shabani njëherësh redaktorit në Gazetën Fjala, nga përfaqësuesit e kompanisë Al Petrol.

Në një kumtesë për media të AGK-së thuhet se Shabani është kërcënuar me jetë nga përfaqësues të kësaj kompanie pas publikimit të një artikulli lidhur me pretendimet e ngritura të qytetarëve për vjedhje në litra nga kompania e derivateve Al Petrol.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mësuar se ky nuk është rasti i parë që pronarët e kësaj kompanie kërcënojnë gazetarët.

AGK kërkon nga organet e sigurisë në vend që të marrin masa ndaj kërcënuesve dhe të nxjerrin para drejtësisë akterët.

Ky asociacion gjithashtu shpreh shqetësim për mënyrën se si Policia e Kosovës e ka trajtuar kryeredaktorin e gazetës BLIC, Adrian Qollakun.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjës të angazhohen maksimalisht në zbatimin e ligjit dhe garantimin e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në Kosovë si vlera demokratike të shoqërisë.

Gazeta Fjala ka raportuar gjatë ditës së martë  lidhur me pretendimet e ngritura të qytetarëve për vjedhje në litra nga kompania e derivateve Al Petrol.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/reagon-agk-per-kercenimet-ndaj-zekirja-shabanit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala