Raporti i ndërkombëtarëve për Demarkacionin, para 7 prillit

Autori:Avdyl Pajaziti

Para se të përfundoj mandatin në krye të shtetit, Presidentja e vendit Atifete Jahjaga po bënë përpjekje që dy çështjet të kontestuar nga opozita, marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi t`i rehatojë, në mënyrë që kriza politike në vend të marrë fund.

Pas dërgimit të marrëveshjes për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese dhe opinionit të kësaj të fundit, Jahjaga së shpejti do të formojë një komision ndërkombëtar për çështjen e kufirit me Malin e Zi.

Burime të sigurta të RTV Dukagjinit kanë rrëfyer se si presidentja e vendit, tashmë është në proces e sipër që ky komision i përbërë nga tre ekspertë të shteteve mike të Kosovës të nisin punën në terren dhe të vlerësojnë punën që ka bërë Komisioni qeveritar në krye me Murat Mehen, i cili është shprehur i gatshëm të bashkëpunoi me ekspertët ndërkombëtarë që do të caktohen nga presidentja.

Në këtë kuadër është vendosur po ashtu edhe për mbulesën e shpenzimeve që do t’i ketë ky komisionin, e që sipas burimeve të televizionit tërësisht do të mbulohen nga presidenca.

Sipas këtyre burimeve, komisioni me tre ekspert ndërkombëtarë pritet të dal në terren kryesisht në rajonin e Pejës , në zonën e bjeshkëve të Rugovës për të shikuar në detaje se çfarë ka ndodhur në të vërtet me shënjimin e vijës kufitare Kosovë Mali i Zi, shtuar këtu edhe vlerësimin e gjithë dokumentacionit dhe punën që ka bërë Komisioni Qeveritar.

Ky Komision pritet të përfundoi punën në afat prej dy javësh nga momenti i nisjes së vlerësimit ku në fund, një raport të detajuar pritet t`i dorëzohet presidentes së vendit Atifete Jahjaga. I tërë ky proces pritet të përmbyllet para se presidentja të përfundoi mandatin e saj 5 vjeçar, më 7 prill.

Për këtë nismë, sipas këtyre burimeve, në parim shenja kundërshtimi nuk kanë shfaqur as tri subjektet opozitare Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën.

Ngjashëm sikurse Komisioni i presidentes që pritet shumë shpejt të filloi punën në terren, ide të tilla ka përmendur edhe shefi i ekzekutivit Isa Mustafa, i cili muaj më parë ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, atyre të opozitës dhe ekspertëve vendore.

Opozita vazhdon të insistoi se me shënjimin e kufirit Mali të Zi i janë falur afër 10 mijë hektar tokë, ku sipas tyre kufiri ka lëvizur nga 5 deri në 7.5 kilometra në brendësi të Bjeshkëve të Rugovës.

Me qëndrim zyrtar për punën e kufirit ka dal edhe Departamenti amerikan i shtetit, qëndrim ky i interpretuar në mënyra të ndryshme nga pozita e opozita.

Dy marrëveshjet, ajo për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe ajo për shënjimin e kufirit Kosovë – Mal i Zi, janë bërë pika sherri mes pushtetit dhe opozitës tash e katër muaj, të përcjella me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, protesta e demonstrata në Prishtinë e në qytete të tjera të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/raporti-i-nderkombetareve-per-demarkacionin-para-7-prillit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala