Ramadan “kavaleri”, shpenzoi 400 euro në ditë për dreka

Ramadan Muja, që drejton Komunën e Prizrenit e ka shpenzuar buxhetin komunal në “rrush e kumbulla”. Ai dhe punonjësit e kësaj komune brenda një ditë punë kanë shpenzuar fiks 400 euro në dreka. Derisa, brenda një vit ky shpenzim ka shkuar në 111 mijë e 878 euro.
Këtë fakt e ka thënë Auditori Gjeneral në raportin e kësaj komune, shkruan Gazeta Fjala.
“Edhe gjatë vitit 2014 shpenzimet për dreka zyrtare kanë qenë 111,878€, apo mesatarisht mbi 400€ për çdo ditë pune. Ne kemi testuar dy pagesa njëra në shumë prej 14,000€ dhe tjera në shumë 10,000 euro. Këto pagesa të bëra në vitin 2014 i takonin muajit shtator 2013”, thuhet në këtë raport.
Auditori ka shpjeguar se dëshmitë për këto pagesa nuk përmbanin ndonjë agjendë të qartë të organizimit dhe personat që do të marrin pjesë.
“Shpenzimet për dreka zyrtare gjatë vitit 2014 ishin më të larta se shpenzimet për subvencione për të sëmurë që nuk kanë mundësi t‟i mbulojnë shpenzimet e shërimit brenda apo jashtë vendit”./Gazeta Fjala/.