Rama: Të gjithë së bashku në stadium (Foto)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka pritur të enjten një grup studentësh nga Serbia dhe Shqipëria, në nisjen e programit të përbashkët për shkëmbimet rinore mes vendeve të Ballkanit.
Lexojeni të plotë deklaratën e tij:
Sot, në kryeministri, për të mikpritur në Qendrën për Hapje e Dialog, grupin e studentëve të shkëlqyer nga Serbia dhe Shqipëria në nisjen e programit të përbashkët për shkëmbimet rinore mes vendeve të Ballkanit. Atë që Franca dhe Gjermania bënë pas Luftës së Dytë Botërore duke hapur rrugën e paqes, e duke u kthyer në dy shtylla të Europës së Bashkuar, kombet tona mund ta bëjnë për rajonin tonë. Dhe këta të rinj janë nismëtarët e një programi që kemi vendosur ta vëmë në jetë, të frymëzuar pikërisht nga programi i shkëmbimeve rinore me Francës e Gjermanisë në kohën e vështirë të kapërcimit të lumenjve të gjakut që la pas mes tyre Lufta e Dytë Botërore.
Të gjithë së bashku ata do të jenë në stadium sot, të ndarë për skuadrat e zemrës, por të bashkuar, njësoj si para edhe pas ndeshjes, në rrugën europiane të paqes së ardhur pas aq shumë gjakderdhjesh, konfliktesh, dasish ekstreme.
Uroj me të gjithë forcën e zemrës që sot të fitojnë Kuqezinjtë. Të fitojë tradita e shtëpisë së shqiptarit në shkallët e stadiumit. Të fitojë dinjiteti europian i këtij vendi pavarësisht se si mund të rrotullohet topi i futbollit.
Mos të harrojmë asnjë çast se, pas asaj që ndodhi në stadiumin e Beogradit, sot e gjithë bota i ka sytë në Elbasan Arena. Prandaj dashurinë për Kuqezinjtë ta tregojmë jo vetëm duke brohoritur parreshtur për ta, por edhe duke mos cënuar në asnjë mënyrë FAIR PLAY-n dhe ecurinë e mëtejshme të kësaj Kombëtareje drejt finaleve të Euro2016. E po njësoj, duke mos cënuar kurrësesi imazhin e Shqipërisë që ecën drejt Europës së Bashkuar.
Kjo është një mbrëmje historike për futbollin shqiptar dhe një test historik për dinjitetin tonë europian si vend mikrpitës.
Por nëse në fushën e lojës rezultatin final e vendos beteja me një kundërshtar shumë të fortë, gjatë dhe pas ndeshjes rezultatin e sjelljes dinjitoze e kemi në dorë vetëm ne, shqiptarët për Shqipërinë që duam.