Rama refuzon vendosjen e shtatores së Rugovës në Tiranë

Autori:Avdyl Pajaziti

“Në një akt të turpshëm dhe të paprecedentë, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar moslejimin e vendosjes në Tiranë të shtatores së presidentit Ibrahim Rugova”.

Kështu deklaroi sot gjatë një konference për shtyp nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi.

“Shtatorja e Ibrahim Rugovës tashmë e përfunduar me kontributet vullnetare të qytetarëve të Tiranës, siç dhe kishte premtuar kryetari i Bashkisë Lulzim Basha do të vendosej në rrugën që mban emrin e tij përballë parkut Rinia.

Propozimi i kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha është refuzuar të merret në shqyrtim nga Këshilli Bashkiak me urdhër të Edi Ramës, me pretendimin se i ka mbaruar mandati, por ligji për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, në nenin 31 të tij, “për funksionimin e këshillit komunal ose bashkiak”, në pikën 1 të tij thekson se Këshilli Komunal dhe ai bashkiak ushtron funksionet e tij, qysh nga krijimi, sipas nenit 26, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës,” tha Xhindi, transmeton mapo.al.

“Pra, refuzimi është thjesht dhe vetëm alibi, për të mos lejuar vendosjen e shtatores së Ibrahim Rugovës në Tiranë. Tirana, kryeqendra e shqiptarëve e ka për krenari të lartësojë shtatoret e heronjve të kombit dhe arkitektëve të lirisë së saj. Krah shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, shtatorja e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, presidentit të parë të saj Ibrahim Rugova i bën nder Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, por mesa duket për Edi Ramën është më e rëndësishme të bllokojë kryebashkiakun Basha, se sa të nderojë, siç u takon personaliteteve të kombit shqiptar”.

“Për fat të keq, ky vendim absurd dhe i turpshëm është jo vetëm në vijim të bllokimeve politike por edhe shenjë mosvlerësimi ndaj figurës së Ibrahim Rugovës, në vazhdën e qëndrimeve shpërfillëse që Edi Rama ka mbajtur edhe më herët si për shembull në Kuvendin e Kosovës”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rama-refuzon-vendosjen-e-shtatores-se-rugoves-ne-tirane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala