Rama nuk shqetësohet për kritikat e Brukselit rreth bashkimit kombëtar

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama iu ka thënë sot mediave në Tiranë se nuk është fare i shqetësuar nga vërejtjet dhe kritikat që ka marrë këto ditë lidhur me deklaratat e bëra në Ulqin për një bashkim klasik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai nuk ka preferuar të flasë gjatë lidhur me këtë çështje por shkurtimisht ka thënë se nuk e shqetësojnë ‘fare’ këto vërejtje. Ditë më parë në një intervistë televizive, kryeministri tha se Shqipëria dhe Kosova “do të bashkohen në mënyrën klasike në qoftë se Bashkimi Evropian nuk hap rrugë për integrimin evropian të Kosovës dhe liberalizimin e vizave”.

Pas këtyre deklaratave pati një reagim nga ana e kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç, i cili tha se nuk do të ketë “bashkim klasik”. Më pas ishte Maja Kocijançiç zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Komisionit Evropian, Frederica Mogherini e cila kritikoi komentet e Ramës. Kocijançiç tha se provokimet janë të papranueshme, në një kohë që kërkohet bashkëpunim rajonal dhe përparim për integrimin evropian.

Gjithashtu edhe një zëdhënës i ambasadës së SHBA-ve në Tiranë tha se të gjitha vendet që synojnë integrimin evropian, duhet të qëndrojnë larg gjuhës që nuk çon para këtë perspektivë.

Reagimi i shkurtër i kryeministrit Rama u bë sot pasdite në selinë e PS-së pas mbledhjes që ai pati me deputetët e 7 qarqeve për zyrtarizimin e emrave të kandidatëve për kryetar bashkie për zgjedhjet e 21 qershorit. Për Tiranën dhe Vlorën, Rama tha se vendoset javën tjetër. I pyetur për debatet me deputetin Blushi, Rama theksoi se ata debatojnë në mënyrë të natyrshme me njëri tjetrin dhe se këtu nuk ka asnjë lajm.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rama-nuk-shqetesohet-per-kritikat-e-brukselit-rreth-bashkimin-kombetar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala