Rama: Me Serbinë fituam pikët e arta të nderit kombëtar

Autori:Gazeta Fjala

Shqipëria humbi betejën në fushën e lojës me Serbinë në ndeshjen e luajtur të enjten në “Elbasan Arena”, por fitoi tri pikë të arta si vend dhe si popull.

Ky ishte mesazhi i përcjellë nga kryeministri Edi Rama në konferencën për mediet këtë të premte, ku falenderoi të gjithë tifozët për sjelljen shembullore të treguar në shkallët e stadiumit dhe jashtë tij.

“Humbëm në fushën e lojës, por jashtë fushës së lojës i kemi befasuar të gjithë të tjerët me nivelin e lartë të dinjitetit dhe qytetarisë, madje kemi befasuar edhe kundërshtarët. Nëse në fushën e lojës nuk arritëm të mbajmë dot pikën e artë që me gjasa na çonte në Francë, mbajtja e lartë e nivelit të kulturës sportive i ka dhënë tri pikë të arta Shqipërisë si vend dhe shqiptarëve si popull”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se ky mesazh nuk duhet marrë si ngushëllim për humbjen në fushën e lojës, por vijoi se nëse tifozët kuqezinj do të kishin rënë në batakun e skenareve të dhunës vendi do të humbte shumë më shumë.

“Për 94 minuta nuk është dëgjuar asnjë kor racist, nuk është sulmuar asnjë asnjë lojtar serb. Përulem me mirënjohjen më të madhe të gjithë atyre sportdashësve që mundësuan kalimin me kaq sukses të këtij testi kaq të vështirë. Shqipëria doli me nder dhe faqebardhë nga testi i vështirë i nderit kombëtar”, vijoi ndër të tjera Rama./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/rama-me-serbine-fituam-piket-e-arta-te-nderit-kombetar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala