Raiffisen Bank humb 3.5 për qind në borxhin e qeverisë

Autori:Avdyl Pajaziti

Pesha e mbajtësve kryesore të borxhit të brendshëm ka rënë ndjeshëm gjatë vitit 2014. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave  të Shqipërisë borxhi i brendshëm ka pësuar një diversivifikim të konsiderueshëm dhe në të njëjtën kohë është shoqëruar me një rritje të pjesëmarrësve në tregun primar të instrumenteve financiarë shtetërorë.

Pesha e “Raiffeisen Bank” është ulur me rreth 3.4 pikë përqindje, duke mundësuar limitimin e varësisë për rifinancim nga ky investitor dhe shpërndarjen e peshës në investitorët e tjerë.

Pesha e Bankë së Shqipërisë në borxhin e brendshëm është ulur me 0.86 pikë përqindje duke i lënë hapësirë investitorëve të tjerë të tregut primar. Por gjithashtu vihet re edhe ulja e peshës së individëve në portofol me 0.85 pikë përqindje. Ministria e Financave në dokumentin e fundit për zhvillimit e borxhit publik me 2014 shpjegon, se realisht nuk ka pasur një rënie të interesit të individëve kundrejt instrumenteve financiare shtetërore, por rënia e peshës që përfaqësojnë individët, shpjegohet me faktin që individët kanë filluar që të përdorin si ndërmjetës fondet e investimit (Prestige Fund), të cilat ofrojnë norma më të favorshme për shkak të diversifikimit të portofolit të instrumenteve.

Kërkesa dhe likuiditet e ofruar nga pjesëmarrësit në tregun primar të titujve qeveritarë afatshkurtër ka qenë më e lartë krahasuar me titujt afatgjatë. Ndërkohë, mosrealizimi i ankandeve të obligacioneve ka krijuar presione për rritjen e normave të interesit dhe ka bërë që kurba e normave të interesit të titujve afatgjatë të shfaqet e zhvendosur lart.

Gjatë vitit 2014  instrumentet që kanë pësuar rënien më të madhe të normave të interesit janë bonot e thesarit 3-mujore dhe 12-mujore, normat e të cilave janë ulur përkatësisht me 48 dhe 44 pb krahasuar me fundin e vitit 2013. Ndërkohë instrumentet, normat e të cilave kanë pësuar rritje, janë obligacionet 3 dhe 7-vjeçare, përkatësisht me një rritje prej 34 dhe 22 pb.

Ministria e Financave shpjegon se diversifikimi i bazës së investitorëve ka ndikuar konsiderueshëm në zhvillimin e tregut primar vendas, por mbështetja e borxhit vendas në më shumë se 75% tek sistemi bankar dhe angazhimi i një pjese të konsiderueshme të aseteve të tij përbën risk të konsiderueshëm për ecurinë në terma afatgjatë./monitor/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/raiffisen-bank-humb-3-5-per-qind-ne-borxhin-e-qeverise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala