Ragip Mustafa më i fuqishëm se Shpend Ahmeti

Autori:Zekirja Shabani

Ndërrimi i pushtetit në kryeqytet nuk ja ka zbehur aspak fuqinë kompanisë “Beni Dona”, të veteranit të UÇK-së, Ragip Mustafa.

Si në kohën kur Prishtina udhëhiqej nga Lidhja Demokratike e Kosovës si tani nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, kjo kompani vazhdon të sfidoj Komunën e Prishtinës në tender.

Më së fundi, ka fituar tenderin për furnizim me artikuj ushqimor për nevojat e Komunës dhe Institucionet shkollore, në vlerë 7 mijë euro edhe pse një muaj më parë po i njëjti institucion ja pati shkëputur kontratën për “Furnizim me ushqim për çerdhet në Prishtinë” për shkak të dallavereve.

Para disa ditëve, zyrtarët e Komunës së Prishtinës kanë thënë për medie se arsyeja përse ishte shkëputur kontrata me “Beni Dona”, për furnizim me ushqim për çerdhet në kryeqytet, ka qenë se kjo kompani u ka servuar fëmijëve ushqim tjetër nga ai që ishte në kontratë.

Por, “Beni Dona”, që për gjashtë vite radhazi ka ushqyer të vegjlit e kryeqytetit nuk ka hequr dorë as tani, sa që komuna e Prishtinës për tri herë radhazi e ka shpallur tenderin derisa ka fituar kjo kompani.

“Janë pranuar më pak se dy tenderë të përgjegjshëm”, thuhet në dy arsyetimet e dy anulimeve të para për këtë tender.

Në rastet tjera të ngjashme kur një kompanie ia ka shkëputur kontratën, komuna i ka dërguar emrat e tyre në Organin Shqyrtues të Prokurimit qe këta të fundit ti fusnin në listën e zezë.

Por, OSHP-ja kishte deklaruar se nuk ka listë të zezë për kompanitë.

Nga viti 2007 e deri më tash, dy kompanitë e Mustafës, ‘Olti Trasing’ dhe ‘Beni Dona’ kanë marrë në Prishtinë rreth 30 tenderë.

Vite më parë, biznesmeni nga Podujeva ka ndërtuar në zemër të Prishtinës në lagjen Ulpiana një ndërtesë shumëkatëshe pa leje. Emri i tij prej ndërtuesi të paligjshëm gjendet në listën e publikuar në vitin 2010 nga Komuna e Prishtinës.

Kryetari i tanishëm i Prishtinës, Shpend Ahmeti para se të vinte në pushtet pati thënë se do ti rrëzoj të gjitha objektet pa leje, por ky objekt vazhdon të mbetet në këmbë.

Po ashtu, ‘Beni Dona’, vite më parë sipas gjetjeve të Auditorit Gjeneral, ka qenë një kohë të gjatë e papërgjegjshme ndaj Komunës së Prishtinës.

Por megjithatë del që ajo është favorizuar duke vazhduar që të marrë edhe tenderë prej furnizimit me xhama, ushqimet për fëmijë të shkollave e deri të ndërtimi i infrastrukturës.

Auditori Gjeneral në vitin 2006 pati gjet se për parkingjet publike nëpër trotuare Komuna e Prishtinës kishte kontraktuar kompaninë “Beni Dona Plast”, dhe kompaninë “LTG”.

Sipas raportit të Auditorit, të dy kompanitë i mbetën borxh komunës, dhe vlera e borxhit mbërrinte në 164,480 euro.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ragip-mustafa-me-i-fuqishem-se-shpend-ahmeti/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala