Qytetarët nuk e duan Ali Ahmeti-n në Kumanovë!

Autori:Avdyl Pajaziti

Tensionet rikthehen në Kumanovë, kurse shkak kësaj radhe është qëllimi i kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti të vizitojë këtë qytet, thonë për “Lajm”, banorë shqiptarë të Kumanovës.

Pas analizave të bëra, organet e BDI-së kanë konstatuar se Ahmeti duhet sa më shpejtë të vizitojë Kumanovën, sepse tani kur po afrohen zgjedhjet, çdo vonesë e mëtutjeshme do të reflektohet negativisht në rejtingun e tij personal dhe në rejtingun e BDI-së.

Mirëpo pas konfliktit të Kumanovës që ndodhi më 9 dhe 10 maj, si dhe pas incidentit në degën partiake, kur u vra pretendenti kryesor për kryetar dege Xhemail Rexhepi-Komandant Shqiponja, nuk ekziston disponim për pritjen e Ahmetit, as tek shqiptarët e Kumanovës, por as te simpatizantët e BDI-së.

Në këtë situatë, simpatizantët e BDI-së në Kumanovë thonë se kanë kuptuar që brenda kësaj partie po përgatitet plan për një vizitë gjysmë të fshehtë dhe të shpejtë të Ahmetit në Kumanovë, sa për tu fotografuar para mediumeve të afërta me BDI-në.  Ata thonë se skenari për këtë vizitë është që Ahmeti të vijë i shoqëruar nga një numër i madh i anëtarëve të BDI-së nga qytete dhe komuna tjera, nga frika se nëse për vizitën njoftohen anëtarët e BDI-së në Kumanovë, atëherë do të përhapet informacioni dhe banorët do të organizohen për të penguar ardhjen e Ahmetit.

Kjo ka mobilizuar shqiptarët, të cilët janë të vendosur të mos lejojnë ardhjen e Ahmetit “për të bë poza në Kumanovë”.

“Le vijë Ahmeti lirisht në Kumanovë, por ne të shkojë të vizitojë Rajkova Kuqën ose Karapska Mahallën, ku ka plot simpatizues të VMRO-DPMNE-së. Te lagjet shqiptare nuk ka çka lypë se do ta kthejmë prapë, sikur që i kthyem deputetët e BDI-së, Rexhailin, Mirvanin  e Kaltrinën. Duhet t’i vijë turp”, thotë i revoltuar një anëtar i deritanishëm i BDI-së.

Kundër ardhjes së Ahmetit në Kumanovë janë edhe përkrahësit e Komandant Shqiponjës.

“Sjellja e papërgjegjshme dhe antistatutare e Ali Ahmetit solli deri te përçarje në degë që patën pasojë vrasjen e Komandant Shqiponjës. Prandaj nëse ka pak ndërgjegej ai nuk duhet ët vijë në Kumanovë. Nëse jo, ne do të bëjmë gjithçka që mundemi pë ta penguar”, thotë për “Lajm” një përkrahës i Komandant Shqiponjës.

Në ndërkohë “Lajm” merr vesh se Ahmeti është i vendosur të shkojë në Kumanovë dhe se për të realizuar këtë qëllim ka filluar të fusë përçarje në degën partiake në këtë qytet, duke joshur njerëz në lloj-lloj mënyra.

Më poshtë ju sjellim edhe videon që tregon se si u bënë rezil deputetët e BDI-së nga banorët e Lagjes së Trimave në maj të këtij viti.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qytetaret-nuk-e-duan-ali-ahmeti-n-ne-kumanove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala