Qytetarët mbledhin kuponë fiskalë, bankat fitojnë

Autori:Gazeta Fjala

Konsumatorët të cilët grumbullojnë kuponë fiskalë dhe po i dërgojnë në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për të fituar para gjatë aplikimit për rimburism të vlerës së tatueshme, po janë të obliguar që gjatë procesit të aplikimit të vendosin në pliko të dhënë të sakta, si: numrin personal, numrin e llogarisë bankare dhe emrin e bankës.

Megjithatë, bankat komerciale në vend po aplikojnë tarifa të larta duke iu ndalur konsumatorëve deri në 25 për qind të shumës së fituar prej kuponëve me çminimin e transaksionit bankar.

Drejtues të Administratës Tatimore të Kosovës thonë se për sa i përket shpenzimeve kjo është përgjegjësi e bankave, ndërsa, zyrtarë të Shoqatës së Bankave premtojnë se kjo çështje do të rregullohet në javët në vijim duke aplikuar sisteme elektronike dhe nuk do t’iu ndalen më përqindjet e kuponëve fiskal nga bankat, atyre të cilëve po i kontribuojnë uljes së ekonomisë informale.

Ushtruesi i Detyrës së drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës(ATK), Nahit Sharku, deklaron për KosovaPress se bankat komerciale duhet ta kenë në konsideratë çështjen e rimbursimit të kuponëve fiskal, sepse bëhet fjalë për konsumatorë.

“Ne i ftojmë të gjitha bankat komerciale që ta kenë në konsideratë çështjen rimbursimit, sepse ka të bëjë me konsumatorin. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Shoqatën e Bankave dhe do të shikojmë mundësitë që për tre mujorin e ardhshëm të kemi mundësi që bankat të gjejnë forma në mënyrë që mos t’i ndalet klientëve pjesa nga vlera e rimbursuar”, thotë Sharku.

Drejtuesi i ATK-së thekson se në tre muajt e ardhshëm pritet që ky sistem i aplikimit të kalojë në elektronikë për të avancuar edhe më shumë në këtë drejtim.
“Ne do të mundohemi për këta tre muajt e ardhshëm që të shikojmë mundësitë edhe në mënyrë elektronike t’i paraqesin ato kërkesa duke avancuar këtë proces edhe më tutje. Sa i për ketë shpenzimeve, ato kanë të bëjnë me bankat dhe nuk është kompetencë e ATK-së”, theksoi Sharku.

Sipas drejtuesit të ATK-së, çështja e Administratës Tatimore është që të shqyrtojë kërkesat dhe t’i kthejë parat në llogaritë që aplikuesit i dorëzojnë në ATK. Kurse, ATK nuk mund të kthejë para kesh, por do të kërkohet patjetër një xhirollogari e aplikuesit.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, për KosovaPress thotë se janë duke bashkëpunuar me ATK dhe Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) që tarifat mos të aplikohen në këtë formë, por të procedohen përmes modulit masiv që mos të ketë tarifa në marrjen e rimbursimit të kuponëve fiskalë.

“Sipas informatave që i kemi në procedimin e tre mujorit të fundit ka pasur tarifa që janë aplikuar ndaj depozitave të qytetarëve, mirëpo kjo do të rregullohet në tre mujorin e ardhshëm. Jemi duke bashkëpunuar me ATK dhe BQK që tarifat mos të aplikohen në këtë formë por të procedohen përmes modulit masiv në mënyrë që qytet arët mos të kenë tarifa në marrjen e rimbursimit të kuponëve fiskal”, ka thënë ai.

Sipas kreut të shoqatës së bankave, tarifat janë aplikuar si transaksione të rregullta, ku në fakt ishte dashur të aplikohet një kod special i cili liron qytetarët nga tarifat.

“Tarifat janë aplikuar si transaksione të rregullta, në fakt në këtë rast është dashur që të aplikohet një kod special i cili i liron qytetarët nga tarifat. Po shpresojmë që në takimet e javëve të ardhshme që do t’i kemi me ATK-në dhe me BQK-në do e rregullojmë këtë dhe do të vendoset kodi adekuat që të mos ketë tarifa të tilla në tre mujorin e ardhshëm”, deklaron Balija.

Kreu i shoqatës së bankave beson se të gjithë duhet të mobilizohen që kuponët fiskal të mblidhen sa më shumë nga qytetarët dhe të dorëzohen e të kenë shpërblimin e tyre pa u tatuar ose papasur tarifa të caktuara, sepse siç tha ai në mbledhja e kuponëve fiskalë është edhe në dobinë e ekonomisë së Kosovës.

Deri më tash sipas informatave të ATK-së, janë rreth 25 mijë aplikantë që kanë dorëzuar kuponë fiskalë në ATK për rimbursim. Këto të dhëna ndryshojnë nga ditë në ditë.

U.d. i drejtorit të ATK-së thotë se qëllimi i udhëzimi administrativ ku ka paraparë t’i kthehet një pjesë e mjeteve të kuponëve, atyre që mbledhin kupon ka qenë që të krijohet një partneritet me konsumatorin dhe konsumatori të jetë pjesë e projektit. Ky proces sipas tij, është pjesë e luftimit të ekonomisë jo formale./koha.net

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qytetaret-mbledhin-kupone-fiskale-bankat-fitojne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala