Qytetarët informojnë më shumë Doganën, 80 milionë euro më shumë të grumbulluara se vitin e kaluar

Dogana e Kosovës ka njoftuar se është duke marrë më shumë thirrje nga qytetarët që ofrojnë informata më shumë.
Sipas një njoftimi të Doganës, “qytetarët kanë raportuar për raste të kontrabandës, korrupsionin dhe evazionin fiskal pra kemi qartazi rritje sasiore dhe kualitative të informatave”.
“Derisa vitin e kaluar patëm 135 thirrje për periudhën janar/korrik tani kemi 238 telefonata të cilat paraqesin rritje për afër 60% më shumë se viti i kaluar”, thuhet në njoftimin e Doganës duke shtuar se kjo është bërë për shkak të punës së jashtëzakonshme që ka bërë Dogana për ngritjen e besimit.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e informatave ishin të sakta dhe kanë rezultuar me kapjen e një mori rastesh.
Dogana po ashtu ka bërë të ditur se sivjet ka mbledhur afër 80 milionë euro më shumë se sa vitin e shkuar në periudhën e njëjtë kohore.
“Vlen të theksohet se pjesa më a madhe e këtyre informatave janë plotësisht të saktë dhe kanë rezultuar me kapjen e një mori rastesh të kontrabandës apo evazionit fiskal. Nga ana tjetër besim e qytetarëve Dogana e Kosovës e kthen me rritje të performacës së saj, derisa gjatë vitit të kaluar deri me datë 1 gusht kishim 488,9 milion të grumbulluara, ne në këtë vit kemi mbledhur 567,7 milion euro që paraqet 16,2 % më shumë se viti i kaluar apo 78,8 milionë euro. Pra një kontribut të veçantë në rritjen e të hyrave çdo ditë e më shumë po jep bashkëpunimi me qytetar”, thuhet në njoftim.