Qytetarët dorëzuan 180 mijë kuponë fiskalë brenda 3 ditëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Qytetarë të shumtë ia kanë mësyrë qendrave të shërbimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për të dorëzuar plikotë me kuponë fiskalë për rimbursim, të cilët i kanë grumbulluar gjatë tre muajve, prill, maj qershor.

Fluks të madh të qytetarëve kishte edhe gjatë ditës së premte në qendrën e shërbimeve të ATK-së në Prishtinë. Qytetarë me pliko në dorë pritnin në radhë të gjata për të bërë dorëzimin e kuponëve fiskalë.

Gëzimi mbante në dorë tri pliko me kuponë fiskalë dhe priste në radhë për t’i dorëzuar. Ai thotë se me t’u informuar për dorëzimin e kuponëve fiskalë, kishte filluar t’i grumbullojë ata që nga qershori.

“Me kuponët fiskalë që i kam grumbulluar shpresoi t’i marrë rreth 50 euro. Tashmë çdo blerje që e bëjë nëpër markete të ndryshme ua kërkoj kuponin fiskal, pasi që po na mundësohet t’i dorëzojmë dhe të fitojmë para”, shprehet Gëzimi.

Zyrtarë të ATK-së theksojnë se interesimi i qytetarëve është tejet i madh lidhur me këtë projekt. Sami Salihu, menaxher i lartë i shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve në ATK thotë se që nga momenti kur ATK-ja ka publikuar njoftimin “Kërko kuponin fiskal, përfito para”, është vërejtur interesim i madh nga qytetarët që të pajisen me kuponë fiskal në momentin e furnizimit me mall apo shërbim.

 

Salihu ka shpjeguar se vetëm për tri ditë prej se ka filluar projekti (1 korrik) deri të premten (3 korrik) rreth orës 15:56, në ATK ka të dhëna interesante lidhur me aplikimin dhe dorëzimin e kuponëve fiskalë.

 

Këto të dhëna flasin për 2,909 aplikime nga qytetarët. Prej tyre aplikues të grupit të parë (I) me vlerë të kuponëve (prej 250 deri 500 euro) ishin 938, për grupin II (mbi 500 – 800 euro) ishin 691 aplikues dhe për grupin III (mbi 800 euro) ishin 1,280 aplikues. Pra ishin gjithsej 1,441 pliko me kuponë fiskalë që qytetarët i dorëzuan, ndërsa ishin 179,823 kuponë fiskalë.

“Në sistemin të cilin e ka zhvilluar ATK për këtë projekt, vërehet se brenda minutave numri i aplikacioneve si dhe dorëzimi i plikove është duke u rritur me një intensitet tejet të lartë. Këtë po e mundëson edhe forma e lehtë e aplikimit nga ana e qytetarëve, si dhe menaxhimi i zyrave regjionale të shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve në të cilat po pranohen dhe verifikohen plikot me kuponët fiskalë të grumbulluar nga qytetarët”, ka thënë për KosovaLive, menaxheri Salihu.

Ai thotë se projekti tashmë i titulluar “Rimbursimi i mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal”, ka për qëllim vetëdijesimin e të gjithë qytetarëve që të pajisen me kuponë fiskal, si një nga mënyrat të cilët individualisht ndihmojnë në zhvillimin e shtetit, si dhe përmes qytetarëve të ndihmohet fiskalizimi i bizneseve.

Sipas tij, secili tatimpagues ka për obligim që të pajisë konsumatorin me kupon fiskal në momentin e furnizimit me mall apo shërbimit.

“Po ashtu, përmes këtij projekti tashmë edhe secili qytetar ka kuptuar se është e drejtë e tij që të kërkojë kuponin fiskal në momentin e furnizimit me mall apo me shërbim.  Pajisja me kupon fiskal rezulton në një mirëqenie të përgjithshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, atëherë secili qytetar është mirë të kërkoj kuponin fiskal me të cilin do të kontribuojë për të ardhmen”, ka potencuar Salihu.

Për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskal dhe si të tillë i dërgojnë në ATK, do të aplikohet rimburismi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë në muajin pasues të çdo tremujori, sipas këtyre kritereve:

Grupi I – Plikot me më shumë se 30 kuponë dhe me vlerë  të përgjithshme nga 250€ deri në 500€, do të rimbursohen në vlerën 10 €;

Grupi II – Plikot me më shumë se 40 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 501€ deri në 800 €, do të rimbursohen në vlerën 15 €;

Grupi III – Plikot me më shumë se 50 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme mbi 800 € do të rimbursohen në vlerën 20 €.

Sipas zyrtarëve të ATK-së, ky projekt i grumbullimit të kuponëve fiskalë nga ana e qytetarëve ndihmon edhe në rënien e evazionit fiskal./KosovaLive.com/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qytetaret-dorezuan180-mije-kupone-fiskale-brenda-3-diteve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala