Qumështarëve u vjen një fije shprese

Autori:Avdyl Pajaziti

Prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit të cilët janë ballafaquar me barriera nga më të ndryshmet, e të cilët pakënaqësitë e tyre i kanë shprehur edhe me anë të protestave, duke derdhur qumështin e produktet e qumështit para objektit të Qeverisë, si duket më në fund ka ardhur një fije shprese për ta.

Kjo për shkak se Kuvendi i Kosovës ka aprovuar konkluzat e Shoqatës së qumështarëve për zhvillimin e industrisë së qumështit. Qumështarët e kanë mirëpritur aprovimin e konluzave, por thonë se ende zyrtarisht nuk janë njoftuar lidhur me vendimin.

Kërkesat e qumështarëve drejtuar institucioneve të Kosovës ishin: që të bëhet një rregullim ligjor i produkteve të cilat vijnë në Kosovë dhe nuk kanë përmbajtje të qumështit dhe janë produkte mashtruese; të aplikohen masat mbrojtëse; të krijohet një konkurrencë e drejtë dhe e barabartë në vend; të ketë një lloj kuotizimi në mënyrë që mos të lejohet shkatërrimi i prodhimit vendor, për shkak të produkteve të cilat importohen; që të ketë një lloj lirimi për retromaterialet për lëndët djegëse…

Kryetari Komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, tregti, industri dhe infrastrukturë, Muhamet Mustafa, ka thënë se konkluzat e të cilat i ka aprovuar Kuvendi janë mjaft të rëndësishme për proceset e mëtejme për forcimin e këtij sektori. Ai ka thënë për KosovaLive se ato nxisin krijimin e një mjedisi më të përshtatshëm për zhvillimin e sektorit të industrisë së qumështit në Kosovë si një sektor strategjik.

“Ky sektor ka pasur një zhvillim viteve të fundit, por po ndihet një stagnim dhe viteve të fundit kemi pasur shfaqjen e pakënaqësive dramatike nga qumështarët duke hedhur qumështin. Ky ka qenë motivi i  komisionit dhe në bazë të kërkesave të tyre të merremi detajisht me problemin e tyre.

Ne kemi inkuadruar pastaj Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit dhe si rezultat i këtyre kemi nxjerr konkluzat të cilat kanë të bëjnë me aktivitete që duhet t’i ndërmarrim për të forcuar aftësinë konkurruese të tyre dhe që t’iu bëhet një mbrojtje e lehtë, që nuk e dëmton konkurrencën”, ka shpjeguar Mustafa.

Ai po ashtu ka theksuar se në sezone të caktuara kur çrregullohet tregu, me anë të këtyre konkluzave do t’i bëhet një mbrojtje e lehtë sektorit të qumështit, sepse sipas tij, në ato kohë kur është edhe oferta më e madhe vendore dhe e importit, tregu çrregullohet.

“Me këtë i mbrojmë në atë periudhë kur kanë probleme, sepse atëherë rritet prodhimi vendor dhe importi është më i lirë, shpeshherë edhe importohet qumështi para skadimit të afatit, por me çmim të ulët. Shembull, 10 ditë pa i skaduar afati i qumështit që ven prej vendeve të ndryshme, ai blihet me çmim të lirë dhe këtu u bënë konkurrencë jolejale”, ka thënë Mustafa.

Po ashtu ekspozimi i prodhimeve kinse të qumështit, por që janë prodhime nga yndyra bimore si, vaji i palmës, shpeshherë paketohen dhe ekspozohen si prodhime të qumështit, Mustafa ka thënë se prodhuesve të djathit kjo u krijon shumë probleme.

Ai thotë se kanë kërkuar që të mbrohen prej tyre dhe kjo të bëhet brenda kornizave të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asocim (MSA) dhe të marrëveshjes për tregti të lirë – CEFTA, sepse sipas tij, shumë vende që e kanë industrinë e qumështit me qindra vite, i praktikojnë ato masa.

“Deri tani institucionet e Kosovës kanë hezituar për masa të tilla, sepse janë frikuar se dikush po i akuzon që po e mbyllin tregun. Shpeshherë masat dhe kujdesi i tyre ka qenë më shumë të orientuara te importuesit se sa të prodhuesit vendor, por tashmë ka ndërruar klima edhe në institucionet qeveritare, por edhe në politikat e Komisionit dhe Kuvendit duhet të krijojmë kushte për zhvillim dhe të rrisim aftësinë konkurruese të sektorëve të caktuar të industrive që mund të jenë konkurrente”, thotë Mustafa.

Ramadan Memaj, kryetar i shoqatës së përpunuesve të qumështit, ka thënë se e mirëpresin çdo iniciativë dhe vendim që është në favor të kërkesave të tyre.

Ai ka thënë për KosovaLive se saktësisht nuk e dinë se çka konkretisht është vendos, por vetëm se janë njoftuar përmes raportimeve të mediave që Kuvendi ka kaluar propozimet që i ka dhënë Komisioni për zhvillim ekonomik.

“Në qoftë se kërkesat tona janë marrë parasysh ashtu siç kemi kërkuar është një lajm i madh dhe shumë i mirë. Nga këtu fillon zhvillimi dhe stabilizimi i këtij sektori. Kërkesat tona kanë qenë reale dhe të bazuara në fakte. Ne faktet i kemi grumbulluar për shumë vite dhe kemi ardhur në përfundim se ato janë problemet që e mundojnë sektorin”, ka thënë Memaj.

Ai ka theksuar se në qoftë se vendimet janë marrë konform kërkesave të tyre dhe nëse zbatohen në praktikë, atëherë do të ketë një reflektim shumë të madh në plotësimin dhe zhvillimin e sektorit në përgjithësi.

“Me kësi vendime dhe përcaktime që parlamenti dhe organet gjegjëse marrin, do të bëhet edhe zhvillimi i përgjithshëm ekonomik. Ajo çka na ka bërë mos të ndihemi mirë janë rrethanat në të cilat janë marrë vendimet, or kjo çështje nuk na përket neve”, ka shtuar Memaj.

Ai ka theksuar se kërkesat e tyre drejtuar institucioneve vendore, nuk e atakojnë direkt buxhetin e shtetit në kuptimin e financimit, por janë fokusuar më shumë në krijimin e një infrastrukture ligjore mbrojtëse për produktin vendor.

Qumështarët brenda dite kanë arritur të grumbullojnë rreth 220 mijë litra qumësht, por siç theksojnë, për shkak të mbylljes së fermave e pakënaqësive të ndryshme që kanë ekzistuar në sektorin e qumështit, kjo sasi ka rënë në masën e 160 mijë litra në ditë. Kjo sasi e prodhimit të qumështit, sipas Memajt, vazhdon edhe tashmë. Mirëpo, për një kohë të shkurtër mund t’i plotësojnë rreth 80-90% e nevojave të tregut të Kosovës me produkte cilësore vendore, në qoftë se merren për bazë kërkesat tyre që kanë të bëjnë me një konkurrencë të drejtë dhe barabartë në Kosovë.

Ndërsa, sa i përket punësimit në këtë sektor, sipas Memajt, punësohen rreth 40 mijë njerëz në gjithë Kosovën, por me potencial që kjo shifër të dyfishohet nëse merren masat mbrojtëse.

Konkluzat e aprovuara nga Kuvendi obligojnë Qeverinë dhe akterë tjerë që të merren me to dhe t’i plotësojnë. Pas gjashtë muajsh komisioni shikon se çfarë është bërë me to dhe deri ku kanë shkuar, a janë zbatuar, a jo – dhe se ku janë shkaqet tjera./kosovalive360/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qumeshtareve-u-vjen-nje-fije-shprese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala