Qosja: Isa Mustafa ia dhuroi Kosovës tri dhurata të zeza

Autori:Avdyl Pajaziti

Akademik Rexhep Qosja ka thënë se pajtimi për formimin e Gjykatës Speciale, marrëveshja për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi janë tri dhurata të zeza, që kryeministri Isa Mustafa ia dhuroi Kosovës.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Qosja ka thënë se Bashkësia e Komunave Serbe është subjekt juridik që realisht e kufizon mëvetësinë (sovranitetin) e Kosovës.

Duke folur për gjuhën e përdorur të kryeministrit Mustafa me përfaqësuesit e VV-së, Qosja ka thënë se Mustafa, me gjuhën politike dhe pushtetore që përdori në qërimin e hesapeve me pjesëtarët e kësaj lëvizje, tregoi se pushteti i tij politik po i përngjan pushtetit politik të Millosheviqit dhe Sheshelit!

“Kjo përpjekje e Isa Mustafës për qërim hesapesh politike me fyerje e nënçmime ndaj prijësve të Vetëvendosje!-s disi edhe do të durohej sikur ai në këtë përpjekje të mos kishte inkuadruar edhe Policinë e Kosovës, edhe dhunën shtetërore! Në televizione po shohim e në gazeta po lexojmë se Policia e Kosovës po i burgos anëtarët e Vetëvendosje!-s dhe si e për çka po i burgos se: po i burgos për shkak të parullave që po shkruajnë në rrugë! Po i burgos për shkak të parullave që po ua gjen në bagazhin e veturave! Po i burgos sepse po thonë çka Isa Mustafa nuk do që të dëgjohet në Kosovë!”.

“Për shkrim të parullave nuk është burgosur dhe nuk burgoset sot askush në Evropën demokratike. Jo. Për shkrim parullash të rinjtë tanë i burgosnin pushtetarët paraardhës të Millosheviqit e, në mënyrë të veçantë, të Millosheviqit. Ç’është e vërteta, policët e Millosheviqit nuk i burgosnin të rinjtë tanë për çdo parullë: i burgosnin më së shpeshti për parullën Kosova Republikë. E Isa Mustafa po i burgos të rinjtë e Vetëvendosje!-s për shkak të parullës ‘Zajednica’ e Komunave Serbe Republikë!”, ka thënë Qosja, duke shtuar se një person i tillë s’ka profil të ligjshëm për të qenë as kryeministër i Qeverisë së Kosovës, madje as në politikën e Kosovës.

“Ai duhet të largohet vullnetshëm a detyrueshëm prej qeverisë dhe prej politikës në Kosovë. Këtë e kërkojnë interesat e përtashme dhe historike të Kosovës”, është shprehur Qosja.

Akademik Qosja ka folur edhe për partinë e Thaçit, për të cilën ka thënë se në disa raste të veçanta e humbi rrugën e vet historike.

Ai ka thënë se derisa të mund ta mbajë lapsin në dorë do të jetë kundër politikës që me gjuhën, me masat apo me heshtjen e saj i ka bërë pothuaj të ligjshme shumë të këqija në Kosovë.

Qosja është përgjigjur edhe në pyetjen në lidhje me qëndrimin e tij kritikues në raport me koalicionin PDK-LDK.

“Sikur t’i kishit parasysh librin tim Demokracia e shpërdorur, të botuar në vitin 2005 dhe librin tjetër Shqipëria dhe Kosova – si janë dhe si do të duhej të jenë, të botuar më 2013, besoj se nuk do të më pyesni: mos këto që po them tani duan të thonë se po pozicionohem në krah të opozitës, por do të më pyesnit: mos opozita tashmë po pozicionohet në krah timin? Nuk ka nevojë të theksoj se s’jam identifikuar me asnjë parti. Por, e them se unë deri sot kam përkrahur dhe do të përkrah ata që janë sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e kjo domethënë pjesëtarët e UÇK-së. Meqenëse numri më i madh i tyre janë në PDK, në AAK, në Vetëvendosje! dhe tani në Nismën për Kosovën unë objektivisht nuk mund të mos mendoj për to e të mos sillem ndaj tyre më përkushtueshëm se ndaj partive që janë formuar në vitet nëntëdhjetë e që e dimë se sa hiçgjënë e kanë bërë për Kosovën. Duhet ta them njëkohësisht se mbas zgjedhjeve të fundit, por në disa raste të veçanta edhe më përpara PDK-ja e humbi rrugën e vet historike. Dhe unë këtë po e them…”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qosja-isa-mustafa-ia-dhuroi-kosoves-tri-dhuratat-e-zeza-te/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala