Qeveria: Veprimet e Opozitës kanë për qëllim zhytjen e vendit në anarki dhe krim

Autori:Avdyl Pajaziti

Nëpërmjet një komunikate për media, Qeveria e Republikës së Kosovës dënon dhunën e skajshme të ushtruar sot nga opozita në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët përmes përdorimit masiv të gazrave helmuese, rrezikuan seriozisht shëndetin dhe integritetin personal të pjesëmarrësve në seancë, duke tentuar posaçërisht të sulmojnë kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar.

Qeveria e Kosovës konsideron se këto veprime ekstreme, janë të drejtuara kundër Republikës së Kosovës dhe progresit që po arrihet me përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, akte të cilat kanë për synim zhytjen e Republikës së Kosovës në anarki dhe krim.

Ja reagimi i plotë i Qeverisë:

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon dhunën e skajshme të ushtruar sot nga opozita në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët përmes përdorimit masiv të gazrave helmuese, rrezikuan seriozisht shëndetin dhe integritetin personal të pjesëmarrësve në seancë, duke tentuar posaçërisht të sulmojnë kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar.

Qeveria e Kosovës konsideron se këto veprime ekstreme, janë të drejtuara kundër Republikës së Kosovës dhe progresit që po arrihet me përkrahjen e miqve ndërkombëtarë, akte të cilat kanë për synim zhytjen e Republikës së Kosovës në anarki dhe krim.

Qeveria e Kosovës çmon vendosmërinë dhe përkushtimin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të cilët, përkundër rrezikut me të cilin u ballafaquan, votuan në lexim të parë Buxhetin e Shtetit për vitin 2016, duke qenë në shërbim të plotë të interesave madhore të shtetasve të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ndjen të nevojshme të bëjë apel te ata deputetë të opozitës, të cilët, pa vullnetin e tyre janë bërë pjesë e veprimeve meskine të disa individëve të ndëshkuar në vazhdimësi me votë nga qytetarët e Kosovës, që të distancohen nga këto akte ordinere të drejtuara kundër shtetit tonë.

Qeveria e Kosovës, duke shprehur mirënjohje të parezervë për qytetarët dhe miqtë ndërkombëtarë, SHBA-të dhe vendet e BE-së, që po e mbështesin fuqishëm Republikën e Kosovës, thekson përkushtimin e saj për të avancuar zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, për liberalizimin e vizave dhe integrimet tjera evropiane, përkundër përpjekjeve të disa individëve në opozitë, që t’ia mohojnë qytetarëve të Kosovës, realizimin e këtyre aspiratave.

Qeveria e Republikës së Kosovës, fton organet kompetente që të marrin masat e nevojshme dhe të mos tolerojnë akte që cenojnë shëndetin dhe jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të tjerë, si dhe të mundësojnë kryerjen e detyrave dhe obligimeve zyrtare e ligjore nga bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-veprimet-e-opozites-kane-per-qellim-zhytjen-e-vendit-ne-anarki-dhe-krim/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala