Qeveria vazhdon me një ofertues “Kosovën e Re”

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka bërë të ditur sot se Komiteti Drejtues i Projektit të TC Kosova e Re, pas vlerësimit të ofertave teknike dhe financiare nga këshilltari i transaksionit dhe ai strategjik, i ka dhënë dritën e gjelbër ofertuesit me çka kalohet në fazën e bisedimeve të drejtpërdrejta me të për definimin e çështjeve të hapura.

Këto komente kreu i  MZHE-së, i bëri gjatë një konference për media ku prezantoi prioritet e Qeverisë për sektorin e energjisë, ku të parin e renditi ndërtimin e TC “Kosova e Re”, për të cilin tha se është i domosdoshëm për sigurimin e furnizimit me energji, respektivisht zhvillimin ekonomik të vendit.

“Pas diskutimeve me ofertuesin për çështjet e hapura, marrëveshja e arritur do të kalojë në Komitetin Drejtues të projektit, në Qeveri dhe pastaj varësisht prej çështjeve që janë të precizuara edhe në Kuvendin e Kosovës”, tha ministri Stavileci, duke shtuar se çështjet të cilat duhet të diskutohen janë çështja e garancive, norma e brendshme e kthimit dhe fondi për zhvillimin e komunitetit.

Sipas tij, është pozitiv fakti se ofertuesi në pjesën e propozimit të tij, nga fondet vetanake do të investojë 1/3 e vlerës së projektit, derisa 2/3 vlerës tjetër do të siguroheshin nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe nga kreditorët e ndryshëm komercial.

Ministri Stavileci tha se ka një përparim në dinamikën e projektit, e cila varet edhe nga akterët e tjerë që mbështesin atë si BB, BERZH e institucione ndërkombëtare financiare, të cilat përveç kredive, mund të mbështesin projektin edhe në formë të garancive.

I pari i MZHE-së përsëriti se krahas ndërtimit të kapaciteteve gjeneruese do të respektohet rregullativa e BE-së, caku 20:20:20, ndërkaq nënvizoi se procedurat e projektit Kosova e Re janë konfrom praktikave ndërkombëtare.

Ministri Stavileci ka theksuar se me Strategjinë e Energjisë 2015-2024 pas ndërtimit të TC Kosova e Re, si prioritete janë edhe dekomisionimi i TC Kosova A, tregu i përbashkët Kosovë-Shqipëri, liberalizimi i tregut të energjisë, investimet ne BRE dhe EE.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-vazhdon-me-nje-ofertues-kosoven-e-re/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala