Qeveria ua ndal tallin zyrtarëve të prokurimit

Qeveria e Kosovës do të aplikojë plotësisht prokurim elektronik në shpenzimin e parasë publike që bëhet nëpërmjet tenderimit.
“Duke aplikuar këto reforma në prokurim, pra edhe prokurimin elektronik, mundësohet rritja e efikasitetit, transparencës, cilësisë së punëve dhe materialeve, shmangja e procedurave të komplikuara dhe shtohet vlera e parave. Dorëzimi i dokumentit tenderues, procedurat e vlerësimit dhe të gjitha hapat e tjerë do të jenë plotësisht transparentë”, ka vlerësuar qeveria.
Sipas ekzekutivit të vendit kjo do të mundësojë eliminim të plotë të kontaktit të zyrtarëve të prokurimit me operatorët ekonomikë.
“Puna e secilit zyrtar do të jetë e gjurmueshme dhe transparente. Organet mbikëqyrëse të prokurimit publik do të mund të mbikëqyrin të gjitha proceset, e jo vetëm ato ku paraqiten ankesa nga operatorët ekonomikë. Do të aplikohet një sistem i ri-licencimit të zyrtarëve që punojnë në fushën e prokurimit publik. Do të ndërmerren tenderime gjithëpërfshirëse për mallra dhe shërbime që përdoren nga të gjitha autoritetet kontraktuese, për të mundësuar ekonomizimin e shkallës dhe uljen e çmimit të furnizimit”, konstaton qeveria.
Kjo vlerësohet se do të kursejë rreth 12% të shpenzimeve publike në projekte tenderuese dhe zvogëlim të shpenzimeve administrative deri në 30%. Do të analizohet mundësia e aplikimit të çmimeve referente të prokurimeve publike.