Qeveria të negociojë me BE’në për mbrojtjen e të akuzuarve

Procedimi i Projektligjit që do t’iu sigurojë mbrojtje financiare të akuzuarve potencialë të Gjykatës Speciale vazhdon të kundërshtohet nga përfaqësues të shoqërisë civile, shkruan sot Koha Ditore.
Kjo është hera e parë që Qeveria vendos të krijojë një fond me para të buxhetit për mbrojtjen e të akuzuarve që pritet të gjykohen. Por nuk është treguar as kostoja financiare e këtij ligji. Fond nga buxheti i Kosovës nuk ka pasur më herët për të akuzuarit e disa prej krerëve të UÇK-së në Tribunalin e Hagës për krime lufte.
Mbështetje institucionet nuk kanë ofruar as për familjarët, të cilët është dashur t’i vizitonin të afërmit e tyre në Hagë. As Qeveria e as sponsorizuesi i këtij ligji në mandatin e kaluar, Arsim Bajrami, nuk kanë dhënë sqarime se pse po bëhet ky ligj për Gjykatën Speciale.