Qeveria të ketë kujdes me asociacionin

Autori:Avdyl Pajaziti

Analistët politik i kanë tërhequr vërejtjen qeverisë së vendit që të jetë syqelë me krijimin e Asociacionit të komunave serbe.

Pas kërkesës së kryetarëve të komunave me shumicë serbe drejtuar qeverisë në Prishtinë dhe asaj në Beograd që të përshpejtojnë në procesin e krijimit të Asociacionit të komunave serbe, analistët politik i kanë tërhequr vërejtjen qeverisë së vendit që të jetë syqelë në këtë drejtim.

Ata konsiderojnë se Kosova duhet të jetë e kujdesshëm në atë se çfarë negocion me palën serbe për krijimin e këtij asociacioni.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Afrim Hoti ka thënë për Radio Kosovën se dhënia e kompetencave ekzekutive këtij asociacioni do të kuptonte krijimin e një entiteti shtetëror.

“Dhënia e kompetencave ekzekutive do të ndryshonte strukturën dhe formën e sistemit juridik në Kosovë që do të ishte i ndryshëm nga ai çfarë është i paraparë me kushtetutë dhe kjo do të sillte edhe probleme të tjera”, tha Hoti.

Ndërsa, analisti Jetmir Bakija nga KDI-ja i ka thënë Radio Kosovës se çfarëdo kompetence tjetër që del jashtë rendit kushtetues do të ishte një dëm i madh për vendin.

“Nëse negociohet një asociacion që është jashtë rendit kushtetues dhe i jepen disa përgjegjësi këtij asociacioni që janë të ndjeshme dhe mund të jenë bllokuese për nivelet qendrore atëherë ne po flasim për një strukturë që do të jetë e dëmshme për Kosovën”, shprehet Bakija.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta gjithë popullore pas 25 gushtit, për të kundërshtuar themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Kundër asociacionit janë shprehur edhe dy partitë tjera opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën./RTK

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-te-kete-kujdes-me-asociacionin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala