Qeveria subvencionon me mijëra euro Haradinajn, Pacollin, Kelmendin, Lushtakun…

Autori:Avdyl Pajaziti

Ramush Haradinaj do të ketë të vështirë t’i refuzojë rreth 100 mijë euro subvencione që Qeveria e Kosovës do t’ia japë në vit për punimin e tokës.

Ai, kishte blerë gjatë privatizimit 200 hektarë tokë dhe qeveria ia ka mësyrë me theks të veçantë t’i subvencionojë privatizuesit e tokës.

“Do të krijohen stimuj që të nxitet punimi i tokave të pashfrytëzuara, sidomos atyre që janë privatizuar”, thuhet në pjesën e programit ekonomik për bujqësinë, të cilin e posedon Gazeta Fjala.

Aty nuk ceket shkalla e subvencionimit, por në bazë të kalkulimeve të thjeshta, nëse punimi i një hektari tokë kushton mesatarisht 500 euro në vit, atëherë i bijë që lideri i partisë së dytë më të madhe opozitare të përfitojë 100 mijë euro subvencione.

Pa përfituar nuk do të mbesin as të tjerët. Rreth 350 mijë euro në vit do t’i marr Ramiz Kelmendi i cili në privatizim ka blerë 700 hektarë tokë në Komunën e Pejës. Keq nga toka nuk është as kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku. Ai ka blerë 50 hektarë tokë gjatë privatizimit të cilat i ka mbjellë me mollë. Për ta kultivuar atë tokë, Lushtaku ka gjasa të mira të marrë rreth 25 mijë euro në vit nga qeveria.

Për 40 hektarë tokë Behxhet Pacolli mund t’i përfitojë rreth 20 mijë euro në vit nga buxheti i shtetit, nëse i teket ta punojë.

Subvencionimi i njerëzve më të pasur në vend është politka më e re qeveritare për zhvillimin e bujqësisë. “Ky është program i kthimit të shpresës”, ka thënë kryeministri Mustafa mënjeherë pas miratimit të tij.

Për më tepër, manjatët e parasë dhe tokave në Kosovë do të kenë për produktet primare bujqësore edhe TVSH-në zero. Këto nuk janë lehtësimet e vetme.

“Do të ofrohen lehtësira doganore dhe tatimore për sektorin e prodhimit primar dhe masa lehtësuese tatimore, të cilat do të ulnin edhe koston e prodhimtarisë”, thuhet në programin e qeverisë për bujqësinë.

Këto ndihma janë të dedikuara për tërë bujqësinë, por përvituesit më të mëdhenj mund të jenë pikërisht biznesmenët e mëdhenj. Qeveria do të hapë kuletën edhe për ndihmë të bujqësisë në relacion me bankat.

“Bujqit që marrin kredi nga bankat do të marrin përsipër riskun e kthimit të kredisë, ndërsa qeveria do ta paguajë interesin për ato kredi”, thuhet në program.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-subvencionin-me-mijera-euro-haradinajn-pacollin-kelmendin-lushtakun/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala