Qeveria shqiptare tërheq projektligjin për shpifjen

Qeveria e Shqipërisë e ka tërhequr projektligjin për kriminalizimin e shpifjes që mund të çonte deri në tre vite burg. Me anë të një reagimi, qeveria thekson se projektligji është tërhequr.
“Duke qenë se formulimi i projektligjit linte mesa duket hapësirë për të keqinterpretuar dhe përfshirë edhe median në objektin e vet, projektligji është tërhequr për t’u riformuluar në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj paqartësie”, thuhet në njoftim, transmeton Gazeta Fjala.
U bë zhurmë e madhe nga mediat në Shqipëri pas inicimit të këtij projektligji, të cilat raportuan se në një shtesë në kodin penal, miratuar fshehtazi në qeveri dhe që diskutohej në kuvend, synon të klasifikojë si “krim kundër shtetit” shpifjen ndaj një zyrtari publik dhe ta dënojë këtë veprim me deri tre vjet burg. / Gazeta Fjala/