Qeveria shet 20 milion euro letra

Ministria e Financave ka mbajtur të martën Ankandin e radhës për emetimin e Letrave me Vlerë të Republikës së Kosovës “Ankandi KV002-15”. Norma e interest për këto letra me vlerë ishte 1.97 për qind vjetore, gjë që paraqet një zvogëlim prej 12 pikësh bazë krahasuar me normën e interesit të ankandit të fundit 6-mujor, e cila ishte 2.09%.
Në këtë ankand u ofertuan 20 milionë euro Bono Thesari 6-mujore me qëllim ri-financimin e 13.32 milionë eurove të emetuara në korrik 2014.
“Ndërsa, kërkesa nga tregu ishte sa dyfishi i ofertës në vlerë nominale prej 41.78 milionë euro, kurse ne e pranuam shumën e ofertuar prej 20 milionë euro. Investimi në Letra me Vlerë paraqet alternativë të mirë investimi për të gjithë kursimtarët, të cilët mund të përfitojnë nga siguria e lartë dhe normat e leverdishme që ofron ky lloj investimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie shtimi i interesimit nga tregu për Letrat me Vlerë e dëshmon se ky treg, megjithëse i ri, po zhvillohet me hapa të shpejtë.