Qeveria riprocedon specialen në Kuvend

Autori:Zekirja Shabani

Pa asnjë ndryshim, Qeveria e Kosovës ka riproceduar në Kuvend amendamentin 24, që i hap rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, dhe i cili në seancën e 26 qershorit nuk i kishte marrë votat e nevojshme

Riprocedimi i këtij amandamenti në Kuvend, vjen pas konsultimeve me grupet parlamentare të koalicionit qeverisës.

Kryeministri Isa Mustafa para kabinetit qeveritar tha se nuk ka asnjë pengesë ligjore për riprocedimin e të njëjtave ndryshime kushtetuese në Kuvend. Ai tha se as Kushtetuta, as Rregullorja e Punës së Kuvendit nuk e kufizojnë mundësinë e riprocedimit të të njëjtit amandament në Kuvend.

“Arsyeja e riprocedimit të amandamenteve ndërlidhet veçmas me përmbushjen e obligimeve të cilat i kamarrë Kosova me Ligjin për ratifikimin e letrës së presidentes së Kosovës me baroneshën Ashton, të aprovuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ne jemi të detyruar t’i zbatojmë ligjet të cilat i aprovon Kuvendi, ndërkaq Kosova duhet të tregojë se është përgjegjëse dhe e zonja të përmbush zotimet e saj para komunitetin ndërkombëtar, të cilat zotime janë ratifikuar me ligj”, tha Mustafa.

Mustafa tha se përmes këtij riprocedimi Kosova demonstron në mënyrë të qartë përcaktimin për rend e ligj dhe për arritjen e standardeve të larta perëndimore të drejtësisë.

“Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për këto amandamente kushtetuese, e ruan sovranitetin e Kosovës, sepse institucionet e Republikës së Kosovës janë ato që marrin rolin dhe përgjegjësinë për një vendim të tillë. Për neve do të jetë e dëmshme dhe e papranueshme që për këtë çështje të vendoset mbi bazën e Rezolutës 1244”, theksoi Mustafa.

Riprocedimin e amandamentit 24 në Kuvend, edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi e vlerësoi si shumë të rëndësishëm.

“Kjo çështje është ajo që duhet t’i largojë ndasitë politike. Përkundrazi, është një përgjegjësi e përbashkët shtetërore, dhe duhet të shndërrohet në një rrethanë të favorshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri Isa Mustafa kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që sa më shpejt ta thërras seancën për aprovimin e amandamentit që i hapë rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Mustafa e Thaçi u bën thirrje deputetëve që t’i japin mbështetje këtij amandamenti, në mënyrë që të përmbyllet kjo sfidë dhe pëgjegjësi e institucioneve të Kosovës./RTK/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-riprocedon-specialen-ne-kuvend/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala