Qeveria opozitës: Hiqni dorë nga veprimet anarkike dhe të dhunshme 

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me situatën e mbrëmshme në Prishtinë, ku aktivistët e Vetëvendosjes protestuan pasi policia ndaloi Albin Kurtin.

Qeveria shpreh shqetësim dhe keqardhje për dhunën që grupe militantësh të partive opozitare kanë ushtruar një natë më parë mbi Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kushtetuese, duke lënduar rëndë disa zyrtarë policorë, duke shkaktuar dëme në objekte publike e private dhe duke krijuar shqetësim te qytetarët”, thuhet në njoftim.

Ekzekutivi thotë se aktet e dhunshme të kryera nga protestuesit, cenojnë rendin dhe ligjin, duke dënuar kështu çdo sulm kundër institucioneve të sundimit të ligjit.

“Aktet e skajshme vandale që u manifestuan gjatë protestës së dhunshme të thirrur dhe të drejtuar nga udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të përkrahur nga partitë tjera opozitare, cenon rendin dhe ligjin, punën e organeve të pavarura shtetërore si dhe interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmet kundër institucioneve të sundimit të ligjit dhe garantimit të rendit dhe sigurisë, të mandatuara që aktivitetin e fushëveprimit të tyre ta ushtrojnë të lira nga ndërhyrjet dhe dhuna”.

Qeveria e Kosovës i bën thirrje partive opozitare “që të heqin dorë nga veprimet anarkike dhe nga përdorimi i dhunës mbi institucionet e shtetit, me qëllim që të dalin mbi ligjin dhe që të realizojnë agjendat e tyre politike ditore, duke vepruar në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-opozites-hiqni-dore-nga-veprimet-anarkike-dhe-te-dhunshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala