Qeveria nuk u beson statistikave të ASK-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e Kosovës nuk u beson statistikave që publikohen nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila është nën komandën direkte të kryeministrit të Kosovës. Statistikat për rritjen ekonomike dhe ato për papunësinë e kanë befasuar ministrin e Financave, Avdullah Hoti.

Hoti në një intervistë dhënë “Kohës Ditore” ka thënë se statistikat e ASK-së janë befasuese për dikasterin që ai drejton.

“Kohë pas kohe Agjencia e Statistikave po na surprizon, me vlerësime që janë surprizë dhe jashtë kontekstit nganjëherë”, ka thënë ai, kur është pyetur për rritjen e papunësisë për vitin 2014 për 18 për qind, shkruan Koha Ditore.

Hoti thekson se cilësia e të dhënave të ASK-së është shumë e ulët, kur është ftuar t’i komentojë të dhënat e ndryshme të Bankës Qendrore të Kosovës dhe ASK-së për rritjen ekonomike të vitit 2014. BQK-ja ka thënë se rritja ekonomike ka qenë 2.7 për qind, e ASK-ja në bazë të të dhënave preliminare thotë se rritja ka qenë vetëm 0.9 për qind.

“Tani nuk po dua të hyj nëse rritja ekonomike ka qenë 0.9 për qind apo 3 për qind”, ka thënë Hoti. “Atë që unë pajtohem është që cilësia e të dhënave në Kosovë është shumë e ulët, sidomos cilësia e të dhënave në bazë të të cilave ne mund të nxjerrim rritjen ekonomike”.

Thotë se ASK-ja edhe kur prodhon të dhëna të besueshme i publikon me vonesë saqë nuk i hyjnë më asnjë institucioni në punë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-nuk-u-beson-statistikave-te-ask-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala