Qeveria nuk ka para për protezat e invalidëve të UÇK-së

Autori:Avdyl Pajaziti

Një prej kategorive më të ndjeshme të dala nga lufta e UÇK-së, ajo e invalidëve, ka mbetur e zhgënjyer me përkrahjen që kanë marrë këtë vit nga Qeveria e Kosovës. Ata mbetën pa realizuar projektin, faza e dytë, për rregullimin e protezave të këmbëve, duarve dhe syve për invalidët e luftës, dhe atë të shërimit jashtë vendit për ata invalidë që kanë nevojë.

Për të parën herë, këtë vit, Qeveria e Kosovës nuk e realizoi projektin e dërgimit të invalidëve në rehabilitim dhe pushime verore, gjë kjo që ka shqetësuar shumë kryesuesit e këtyre shoqatave.

Sipas tyre, me këto veprime, Qeveria e Kosovës ka bërë një turp karshi kësaj kategorie të ndjeshme të luftës së UÇK-së.

Deri këtë vit, projekti për rehabilitimin e invalidëve nëpër banja të ndryshme në Kosovë, dhe disa ditë në bregdet është implementuar me rregull. Këtë vit, Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së ka arritur të dërgojë në banjë vetëm 200 invalidë, nga 5 mijë sa ka qenë dashur. Derisa për në bregdet nuk është realizuar fare këtë vit.

Enver Krasniqi, sekretar i shoqatës, thotë se me 25 mijë euro sa i përkrah Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ata koordinojnë pagat në shoqatë, kryejnë aktivitetet, organi zojnë homazhet, shpenzojnë karburant e të tjera. Që sipas tij, është një shumë e vogël për këtë kategori.

“Këtë vit nuk është realizuar kërkesa që e kemi dërguar….. Ndoshta nuk kanë pas buxhet sepse për veti kanë, por për neve nuk kanë pas mjete, sepse ato kërkojnë diku 200 – 225 mijë euro, kurse për vete kanë, për automjete të veta e për ne jo…. Është bërë kërkesa që 110 invalidë për me shku në pushime. Nuk është fjala për pushime verore se ata do të kënaqen por është një rehabilitim i tyre që të pushojnë të qetësohen”, thotë ai.

Ai bënë të ditur se janë 110 invalidë me gjymtyrë të humbura e që kanë nevojë për proteza e rehabilitim.

Edhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve çdo vit ka implementuar projektin për të dërguar në rehabilitim në Kosovë dhe bregdet, prindërit në nevojë, të dëshmorëve, pra ata që nuk e kanë gëzuar pensionin.

Stopimi i projektit këtë vit për kryetarin e kësaj shoqate, Xhavit Jasharin, është një zhgënjim shumë i madh.

“Projektet që janë realizuar në vazhdimësi për rehabilitim ose pushime në bregdet. Është një zhgënjim shumë i madh sepse është hera e parë që nuk është realizuar. Faktikisht edhe njerëzit që kanë pas nevojë që kanë mbajtë shpresë dhe e kanë pritë që sado pak t’u dilet në ndihmë. Turpi bie mbi ta, sepse këto janë kategori të ndjeshme dhe falë kontributit të tyre ata njerëz që sot nuk i realizojnë kërkesat kaq minimale që janë krahasuar me nevojat që kanë, mendoj se kanë bërë gabim të madh”, thotë ai.

Kjo shoqatë, këtë vit, ka arritur t’i dërgojë vetëm 130 persona. Derisa shoqata e invalidëve i ka pas në dispozicion vetëm 200 vende për t’ dërguar invalidët në rehabilitim në banjë.

“Nëse flasim për 5 mijë invalidë, e t’i japin 200 vende në banjë për me i shfrytëzuar, është një katastrofë shumë e madhe. 110 invalidë i kemi me gjymtyrë të humbura, 100 vetë janë qind për qind me përcjellës. Janë shumë pak”, thotë ai.

Në anën tjetër, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi thotë se vetëm 100 mijë euro i kanë paraparë në fillim të vitit për këto kategori dhe se nuk e kanë ditur se ata kanë nevoja shtesë.

Ai thotë se në fund të vitit, varësisht prej kursimeve, do të kujdesën që të ndajnë mjete për këto kategori.

“Në 2014 zyra jonë e buxhetit ka procesu 90 mijë euro për të gjitha shoqatat, ne kemi shtuar 10 për qind dhe me një vendim të Qeverisë në pranverë kemi ndarë 100 mijë euro për nevojat e këtyre shoqatave. Ne kemi menduar se me këtë kemi përfunduar të gjitha obligimet por si duket kanë pas obligime shtesë apo nevoja shtesë. Ne do të shikojmë që gjatë nëntorit ose fillim dhjetorit, varësisht prej mjeteve buxhetore të gjejmë ndonjë kategori dhe t’i ndajmë këto mjete ashtu siç i kemi mundësitë”, thotë ai.

Xhavit Jashari, thotë se Isa Mustafa as gjatë luftës nuk e përkrahu UÇK-në, andaj edhe tani nuk e di rëndësinë e përkrahjes së kësaj kategorie.

“Sot e kemi një kryeministër që nuk kemi gjetë mbështetje gjatë luftës, madje gjatë periudhës së luftës nga ky kryeministër dhe nga ajo parti kemi pas edhe fyerje që kanë shku aq larg sa në vitet e hershme kur kemi filluar rezistencën aktive, na kanë quajtur dorë e zgjatur e Serbisë. Ndoshta është edhe kjo sepse nuk e di rëndësinë sepse nuk ka qenë një njëri që ka dhënë kontribut….Turpin e bartin ata….Tek e fundit kategoritë e dala nga lufta janë qytetarë të këtij vendi dhe ata do t’i ndëshkojnë kur të vijë koha me votën e tyre”, thotë ai.

Por ai duket të ketë humbur shpresat edhe tek partia në koalicion me Isa Mustafën. Sipas Jasharit, njerëzit që sot janë në bashkëqeverisje me Mustafën, e kanë humb rrugën, kanë harruar se nga kanë ardhur se kush janë më meritorët për lirinë që Kosova e ka sot.

Në korrik të 2014-ës, kabineti i Qeverisë së Hashim Thaçit, aprovoi edhe një herë vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej 960.250.00 euro, për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Ndarja e këtyre mjeteve u bë me qëllim që të iu dilet në ndihmë në rregullimin e protezave në shërim dhe rehabilitim për anëtarët e Shoqatës së Invalidëve, Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Organizatës së veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Këtë vit, Shoqata e Invalidëve dhe ajo e Familjeve të Dëshmorëve arritën të realizonin vetëm një pjesë të vogël të kërkesave të tyre, duke dërguar një numër të vogël personash në rehabilitim në banjë. Derisa kërkesat e tjera kanë mbetë diku në zyret e Qeverisë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-nuk-ka-para-per-protezat-e-invalideve-te-uck-se/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala